Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Reagon “Raiffeisen Bank”: E kemi filluar procesin e njoftimit të klientëve me anë të këtyre letrave në muajin shkurt

Reagon “Raiffeisen Bank”: E kemi filluar procesin e njoftimit të klientëve me anë të këtyre letrave në muajin shkurt
July 08
15:01 2016

Ditën e djeshme në rrjetet sociale u diskutua gjatë një lajm  që kishte në qendër një nga bankat më të mëdha në Shqipëri, “Raiffeisen Bank” (lexo këtu). Nisur nga denoncimi i një qytetari, sipas portaleve, banka njoftonte klientin se duke nisur nga muaji gusht do t’i mbahen komisione të përmuajshme nga llogaritë që klienti kishte pranë kësaj banke. Kjo konsiderohej prej tyre si  një mënyrë për të kompensuar paratë e vjedhura pak ditë më parë në aeroportin e Rinasit, duke qenë se ishte ajo banka që i posedonte këto para.

“Raiffeisen Bank”, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka reaguar sot duke cituar se një lajmërim i tillë ka nisur që në shkurt të vitit 2016 dhe se beson në aftësinë dhe profesionalizmin e policisë dhe prokurorisë për sa i përket ngjarjes në aeroportin e Rinasit.

“Të nderuar klientë,
Këto ditë në disa portale online po qarkullon një lajm me titull “Raiffeisen Bank ua merr qytetarëve paratë e grabitura në Rinas”, bazuar në postimin e një qytetari në Facebook. Qytetari ka postuar gjithashtu edhe një letër që “Raiffeisen Bank” ka dërguar për njoftimin e klientëve në lidhje me komisionet e reja që banka do të vendosë duke filluar nga muaji tetor 2016, me pretendimin që banka do të vendosë komisione të reja me qëllim zëvendësimin e parave të grabitura në Rinas.
“Raiffeisen Bank” dëshiron të sqarojë të gjithë klientët e saj dhe opinionin publik që banka duhet të jetë transparente me klientët e saj dhe duhet t’i informojë ata për termat dhe kushtet e produkteve dhe shërbimeve që ajo ofron, si dhe komisionet dhe tarifat që ajo vendos, ashtu si të gjitha bankat e tjera në sistemin bankar shqiptar. Për më tepër, të gjitha bankat në Shqipëri janë të detyruara të zbatojnë rregulloren e Bankës së Shqipërisë në lidhje me transparencën.
Gjithashtu, dëshirojmë të theksojmë që “Raiffeisen Bank” ka filluar procesin e njoftimit të klientëve me anë të këtyre letrave në shkurt të vitit 2016.
Për sa i përket ngjarjes së Rinasit, organet kompetente, policia dhe prokuroria, po hetojnë çështjen dhe ne kemi besim në aftësinë dhe profesionalizmin e tyre në ushtrimin e detyrës”.

 

 

Komento
Shperndaje