Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Reagimet pas takimit të Ramës me Merkel. Çfarë thanë Basha, Blushi e Balla

Reagimet pas takimit të Ramës me Merkel.  Çfarë thanë Basha, Blushi e Balla
November 28
17:06 2016

Pas takimit të kryeministrit Edi Rama me kancelaren gjermane Angela Merkel në Berlin kanë reaguar disa prej politikanëve shqiptarë.

BASHA

Lideri i opozitës demokrate, Lulzim Basha, tha se Partia Demokratike e siguron kancelaren se do të marrë përgjegjësinë për situatën në të cilën ndodhet vendi për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Shqipëria është me fat që ka mbështetjen e Gjermanisë në përpjekjet e saj për përparim dhe integrim europian. Ne i jemi veçanërisht mirënjohës kancelares Merkel për mirëkuptimin dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj Shqipërisë.
Dua ta siguroj kancelaren dhe popullin gjerman se shqiptarët janë të vendosur të përqafojnë të gjitha vlerat europiane dhe të ndërtojnë një shoqëri të denjë për të gjithë, duke luftuar krimin, drogën, korrupsionin dhe duke e çliruar politikën prej tyre.
Partia Demokratike dhe unë do të marrim përgjegjësinë tonë në gjendjen ku ndodhet vendi, veçanërisht për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zbatimin sa më parë të reformës në drejtësi”,- shkruan Basha në Facebook-un e tij personal.

BLUSHI

Ndërkohë që themeluesi i partisë “LIBRA”, Ben Blushi, tha se Rama dukej para Merkelit si një nxënës që nuk ka bërë detyrat e shtëpisë.

“500 vjet rrugë dhe nuk arrijmë dot. Nuk kam parë dhe ndoshta nuk do të shoh më një kryeministër më të mërzitur në Ditën e Pavarësisë së vendit të vet. Me sa duket, pesha e kriminalizimit të politikës, kanabizimit masiv, mungesës së reformave të qëndrueshme dhe dyshimi te zgjedhjet e ardhshme po e vështirësojnë ëndrrën europiane të Shqipërisë. Kancelarja e Gjermanisë ishte e qartë, kryeministri i Shqipërisë nxinte. Dukej si një nxënës i paaftë që s’ka bërë detyrat dhe është kapur me kopje në provim. Ka ardhur koha të mbajë përgjegjësi që për tre vjet kërkoi të na çojë në Europë jo me punë, por me barcaleta bajate! Sa e hidhur kur ndodh më 28 Nëntor! Kemi 500 vjet që jemi nisur dhe s’po arrijmë dot”,- shkroi Blushi.

BALLA

Kurse deputeti i PS-së, Taulant Balla, tha në një intervistë për News24 se Vetingu është kushti i vetëm për hapjen e negociatave.

“U tha shumë qartë se Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. Ka 5 prioritete dhe 1 kusht, që është zbatimi i ligjit të Vetingut. Kush është kundër Vetingut është kundër integrimit”,- tha Balla.  /Blitz.al/

Komento
Shperndaje