Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Raporti i DASH: Korrupsioni, problem kryesor. Shqetësuese dhe pandëshkueshmëria

Raporti i DASH: Korrupsioni, problem kryesor. Shqetësuese dhe pandëshkueshmëria
April 14
09:50 2016

Në raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut, Departamenti Amerikan i Shtetit ka vënë në dukje për Shqipërinë se korrupsioni është një problem i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, kryesisht në sistemin e drejtësisë dhe të shëndetësisë. Por sipas DASH, korrupsioni është i përhapur edhe  në institucionet arsimore (universitetet publike), si dhe në radhët e policisë.

“Ndjekjet ligjore dhe sidomos dënimet e zyrtarëve që kanë kryer shkelje kanë mbetur sporadike dhe të paqëndrueshme. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe personat me lidhje të fuqishme biznesi shpesh kanë mundur t’i shpëtojnë ndjekjes penale. Qeveria filloi hetimet për disa zyrtarë të nivelit të lartë, por prokuroria më pas vendosi t’i pushojë këto çështje”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë, ku pandëshkueshmëria trajtohet si një tjetër problem.

Për DASH, problem rrënjësor mbetet edhe dhuna në familje, së bashku me diskriminimin ndaj grave dhe abuzimin ndaj fëmijëve. “Margjinalizimi dhe abuzimi i bashkësive rome dhe egjiptiane ballkanike ishin probleme serioze, sikurse ishte edhe diskriminimi në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Megjithatë, qeveria ka lehtësuar integrimin e muxhahedinëve iranianë në shoqërinë tonë.”, citohet më tej.

Raporti konstaton dhe përparimin e pakët në trajtimin e kërkesave të shumta për kthimin apo kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë komunizmit. Një tjetër çështje është ajo e mbylljes së çështjes të gjyqtarit, anëtar në Gjykatën e Apelit dhe i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili u akuzua në 2014-n për pasuritë e fshehura, pastrim parash, deklarata të rreme, falsifikim të dokumenteve dhe korrupsion. Sipas raportit, krimi në nivele të larta mbetet i pandëshkuar për shkak të frikës se prokurorëve nga hakmarrja, mungesa e burimeve dhe korrupsioni brenda gjyqësorit.

Si probleme të tjera, DASH rendit dhunën e ushtruar nga policia dhe keqtrajtimin e të dyshuarve gjatë kohës që mbahen të ndaluar, kushtet jo normale në burgje, si dhe faktin se Shqipëria vijon të jetë burim dhe destinacion i trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar.

Komento
Etiketimet
Shperndaje