Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rama për importin e mbetjeve: S’i kemi tradhtuar shqiptarët

Rama për importin e mbetjeve: S’i kemi tradhtuar shqiptarët
September 24
16:44 2016

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook pas akuzave pas miratimit të ligjit për mbetjet urbane. Përkundër “sharlatanëve politikë dhe mediatikë”, siç shprehet ai, qeveria nuk e ka tradhtuar popullin shqiptar.

Ai thekson se ligji i ri nuk ka aspak lidhje me lejimin e importit të plehrave që digjen apo groposen në Shqipëri, por është thjesht që një ligj që shërben në të mirë të normalizimit të jetës për industrinë e lehtë të riciklimit dhe Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë pa këtë ligj.

Reagimi i plotë i kryeministrit Rama

Çfarë po u thuhet sot njerëzve nga sharlatanët politikë e mediatikë, për ligjin e ri të mbetjeve është një shpifje që synon t’u fusë frikën dhe t’i përdorë kundër qeverisë! Ne nuk i kemi tradhtuar shqiptarët kur ndaluam importin e plehrave nga jashtë; nuk i kemi tradhtuar kur kaluam ligjin e ri që s’ka të bëjë gjëkundi me lejimin e importit për plehra që digjen apo groposen në Shqipëri; nuk do t’i tradhtojmë kurrë për asnjë interes që bie ndesh me interesin e tyre e të fëmijëve tanë!

Ligji i ri është vetëm normalizimi i jetës për industrinë e lehtë të riciklimit, 100% sipas legjislacionit të gjelbër të BE-së, e cila blen mbetje letre, plastike, alumini apo druri dhe i kthen në lëndë të parë për prodhimin e ambalazheve, shisheve plastike, kanoçeve të aluminit apo material bio për ngrohje (pelet).

Ishim vendi i vetëm në Europë pa këtë ligj dhe sot jemi thjesht një vend si të tjerët, në rajonin tonë apo në Bashkimin Europian.

/Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje