Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rama-opozitës: Shullazi, sebepi i radhës për të shtyrë reformën. Berisha: Shqiptarë, armatosuni

Rama-opozitës: Shullazi, sebepi i radhës për të shtyrë reformën. Berisha: Shqiptarë, armatosuni
April 21
13:41 2016

Në seancën e sotme plenare nuk kanë munguar debatet mes palëve për çështjen Shullazi. Sipas kreut të Qeverisë, Edi Rama, Shullazi është sebepi i radhës i opozitës për të shtyrë reformën. Duke e cilësuar si një përpjekje të dëshpëruar të tyre, kryeministri tha se PD po përpiqet të bashkojë çdo hero të krimit me Partinë Socialiste dhe qeverinë kur e vërteta është ndryshe, Shullazin e ndaloi policia. Ai deklaroi nga faltorja e Kuvendit se vetëm dy herë gjatë jetës së tij është ndeshur me Shullazin, në vitin 2007 dhe 2009, kur ai ka dhunuar takimet elektorale të PS-së.

Rama theksoi se “ndalimi i Shullazit është bërë nga policia, që ka nisur procedurën pa pasur një denoncim konkret, por duke u nisur vetëm nga një indicje, e paprovuar dhe e ka ndaluar, ka kërkuar nga prokuroria autorizimin për arrestim, të cilin e ka marrë pas mesnate, ndërkohë që personazhi në fjalë ka qenë në qeli”.

Nuk kanë munguar replikat mes kryeministrit, ish-kryeministrit Berisha, kreut të grupit parlamentar të opozitës, Edi Paloka. Ky i fundit, në një replikë me kryeministrin Rama, është shprehur se ekzistojnë disa tabulate telefonike që tregojnë lidhjet e kryeministrit Rama me krimin.

Nga ana tjetër, gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, ish-kryeministri Berisha, ndër të tjera i ka bërë thirrje shqiptarëve që të armatosen për të mbrojtur veten, vatrat dhe pronën e tyre, në kohën kur kjo qeveri po e çon vendin drejt një konflikti të pashmangshëm.

“U bëj thirrje shqiptarëve të armatosen, të sigurojnë armë, për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre se nuk kanë asnjë siguri, u bëj thirrje, nëse ju organizatë kriminale mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët me bandat tuaja, ju garantoj se ne dhe qytetarët jemi të gatshëm të ua kthejmë me të njëjtin mjet dhe të mos gjeni vrimë miu ku të futeni.” – tha ndër të tjera Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha foli dhe për rastin e tritolit në farmacinë e babait të Saimir Tahirit, duke dhënë versionin e tij për ngjarjen.

“Bashkim Tahirit, kontrabandistit të kapur në flagrancë, dikush i vuri një kallëp tritoli në farmaci. Nga të parët që e kanë dënuar këtë akt kam qenë edhe unë. Kush i vendosi ato? Kush e vendosi tritolin? Për tritolin tek farmacia e kontrabandistit u arrestuan 7 vetë, por vetëm një mendje idiote mund të thotë se 7 vetë u morën me vendosjen e tritolit. U arrestuan të gjithë Gjutajt. Nisi procesi, ngeci procesi. Thirr prokuroria Bashkim kontrabandistin, ai thoshte ‘unë s’kam asgjë, ato janë vendosur për shkak të detyrës së djalit tim’. Djali i tij përhapi fjalë se një nga gjutajt kishte treguar të gjitha. Një oficer policie më ka dërguar një letër ku thotë: kam marr pjesë në hetimin për vendosjen e tritolit dhe është zbuluar se tritolin e vendosi Shullazi. Prokuroria njoftoi se Vladimir Gjutaj lirohej nga paraburgimi. Çfarë ndodhi? Prokuroria kishte thirrur Sajme qorrin që të dëshmonte, por ai nuk dëshmonte. Sepse ai u kishte dërguar Gjutajve Shullazin. Pra, Sajme qorri i dërgoi Emilin Vladimirit disa herë dhe filloi negociata të mëdha që ta mbyllnin këtë punë. Sepse Emili kishte vendosur vetë. Po pse u arrestuan Gjutajt? Sepse para zgjedhjeve Gjutajt e kishin shtrirë përtokë Sajme qorrin në bllok, duke i bërë rrahjen më të egër. Por sapo qorri u bë me krahë duhet t’u vendoste rregull gjutajve.”, – deklaroi Berisha.

Komento