Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rama nuk bën “mea-culpa”. Uron Trump-in, shpreh keqardhjen për Hillary-n

Rama nuk bën “mea-culpa”. Uron Trump-in, shpreh keqardhjen për Hillary-n
November 09
11:21 2016

Kryeministri Rama ka qenë i fundit nga politikanët shqiptarë që ka reaguar për rezultatin e zgjedhjeve në SHBA dhe fitoren e Donald Trump.

Në shkrimin e tij në faqen zyrtare në Facebook, Rama i mëshon fillimisht keqardhjes që ai ndjen për humbjen e Hillary Clinton, që e cilëson si mike të shqiptarëve, dhe më pas uron presidentin Trump për fitoren.

“Populli amerikan bëri sot zgjedhjen e tij. Një mike e madhe e Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve, Hillary Clinton, nuk ia doli dot të bëhej presidentja e parë grua në historinë e Shteteve të Bashkuara. Kundërshtari i saj, Donald Trump, u zgjodh presidenti i dyzetepestë i SHBA-ve, duke e bindur sovranin të votojë alternativën e tij, pas një debati të pazakonshëm brenda e jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke i uruar presidentit Trump fitoren dhe të gjithë suksesin që amerikanët dhe miqtë e partnerët e SHBA-ve i urojnë atij vendi të madh, kam bindjen se marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara do të vijojë të forcohet në funksion të vlerave e të interesave të përbashkëta, të cilat e bëjnë Shqipërinë një mik e aleat të çmuar të popullit e të qeverisë amerikane”,- përfundon shkrimi i Ramës.

Kujtojmë që disa kohë më parë Rama e kishte cilësuar Trump-in si të rrezikshëm për Amerikën e botën nëse do të fitonte zgjedhjet në SHBA.

Nuk e dimë ende nëse fitorja e tij do të ndikojë marrëdhëniet e SHBA-ve me Shqipërinë, edhe pse mëngjesin e sotëm politikanët shqiptarë e ambasadori amerikan Lu shprehën bindjen se marrëdhëniet do të vijojnë të jenë miqësore, siç kanë qenë përherë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje