Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Rama dhe Basha takohen në Presidencë te Nishani

Rama dhe Basha takohen në Presidencë te Nishani
May 03
10:39 2017

Kryeministri Rama i shoqëruar nga Gramoz Ruçi dhe Lulzim Basha i shoqëruar nga Edi Paloka janë takuar në Presidencë me negociator Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

I pari që iu përgjigj pozitivisht ftesës së presidentit ishte kryeministri Edi Rama, i cili u kujdes të shprehë shqetësimin për krizën, që sipas tij nuk është e vendit, por e Partisë Demokratike. Ai u paraqit në kohë në Presidencë, ndërkohë që Basha ka shkuar 5 minuta më pas.

Nga informacionet brenda takimit në Presidencë thuhet se oferta që po i bëhet Bashës është e ngjashme me atë që McAlister bëri në Tiranë dhe që Daul e përsëriti edhe mbrëmë në deklaratën e tij pas video-konferencës me PD-në.

Pra që opozitës t’i jepen 4 ministra (të propozuar prej saj dhe të zgjedhur nga Rama), kreu i KQZ-së dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Ndërkohë burime nga shumica bëjnë të ditur se data e zgjedhjeve po diskutohet mes 16 korrikut (PS) dhe 30 korrikut (PD).  Negociatorët ndërkombëtarë mendojnë se mund të shkohet jo me 4, por 6 ministra të propozuar nga PD.

Por deri dje në mbrëmje Lulzim Basha i hodhi poshtë këto propozime.

Ai tha pas mbledhjes së grupit se Rama ka dhënë prova se blen deputetë, parti të tëra dhe jo më ministra.

Edhe korriku është, sipas Bashës, një datë shumë e afërt për t’u realizuar gjërat që kërkon PD, si votimi elektronik që mund të dojë 4 deri në 6 muaj.

Takimi pritet me interes të madh, pasi nëse nuk ka një rezultat dhe marrëveshje mes palëve, vendi rrezikon destabilitet, referuar deklaratave të ndërkombëtarëve, që nga ana e tyre kanë thënë se zgjedhjet do të njihen, edhe nëse nuk merr pjesë opozita. /Blitz.al/

Shperndaje