Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Qeveria do të çojë “Bankers petroleum” në arbitrazh

Qeveria do të çojë “Bankers petroleum” në arbitrazh
October 20
15:56 2016
Konflikti i qeverisë shqiptare me kompaninë e kërkimit dhe prodhimit të naftës “Bankers petroleum” do të zgjidhet në arbitrazh. Burime zyrtare thanë për BLITZ.AL se pas shqyrtimit për afro një muaj të dokumentacionit, grupi i punës, i përbërë nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Ministria e Energjetikës dhe Avokatura e Shtetit, kanë vendosur të apelojnë çështjen “Bankers” në arbitrazhin ndërkombëtar.

Si argument kryesor për çështjen në fjalë pala shqiptare do të ketë mosrespektimin e kontratës bazuar mbi shkeljet ligjore të konstatuara nga AKBN. Ndërkaq, në mbrojtje të shtetit shqiptar pritet të jetë edhe studio ndërkombëtare avokatore “Curtis”, bëhet e ditur në faqen zyrtare të AKBN.

“Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore Viktor Tushaj zhvilloi një takim me përfaqësuesen e studios së avokatisë “ Curtis”, që ka ndjekur çështjen me “Bankers Petroleum”, zonjën Miriam K. Harwood. Qëllimi i këtij takimi ishte për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm që duhet të ndjekë AKBN-ja në bashkëpunim me MEI dhe Avokatin e Shtetit në lidhje me çështjen “Bankers”.”

Në fillim të muajit shtator, pasi ekspertët ndërkombëtarë i dhanë të drejtë kompanisë “Bankers”, duke i faturuar shtetit shqiptar shlyerjen e 37 milionë dollarëve detyrime ndaj kompanisë, Ministria e Energjisë bashkë me Avokaturën e Shtetit dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore i dhanë vetes një muaj kohë nëse do ta apelonin vendimin. Afati zyrtar për këtë vendim përfundon të dielën.

Por tani që dilema është zgjidhur, do të jenë kinezët Geo Jade që blenë “Bankers” që do të duhet të përballen me qeverinë në arbitrazh ndërkombëtar./Blitz.al/

Komento
Shperndaje