Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pse Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë qenë gjithmonë çifti presidencial në Shqipëri

Pse Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë qenë gjithmonë çifti presidencial në Shqipëri
May 22
10:01 2017

Ka qenë data 29 tetor e vitit 1998, një vit plot trazira për jetën politike-ekonomike-sociale të Shqipërisë, kur Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi firmosën për dashurinë e tyre në bashki duke konkretizuar në martesë lidhjen që kishte nisur që në vitin 1993. Që prej asaj kohe shumë kanë folur për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin si dy nga politikanët më të hershëm dhe më me influencë në Shqipëri, por sot kemi vendosur të fokusohemi te karakteristikat e atyre të dyve, në marrëdhënie me njëri-tjetrin, duke lënë jashtë për një çast çështjet e politikës.

Mos ndoshta çelësi i suksesit individual tek ata është pikërisht lidhja me njëri-tjetrin apo është e kundërta? Tashmë që të dy janë në prag të nisjes së një tjetër etape të jetës, sepse do të jenë çifti i ardhshëm presidencial në Shqipëri, natyrshëm na vjen të analizojmë diçka interesante: faktin që ligjërisht do të jetë çifti presidencial, sepse në fakt kështu është dukur që prej fillimit…

KUR DASHURIA DHE KARRIERA KANË TË NJËJTËN  DATË NISJEJE

Siç tashmë të gjithë e dimë, shkaku se pse janë njohur Monika dhe Iliri ka qenë themelimi i Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESSH), ku në fakt ata të dy nuk nisën për të qenë pranë njëri- tjetrit, thjesht nisën të bënin një revolucion rinor në partinë e majtë dhe më pas përfunduan duke u dashuruar me njëri-tjetrin  dhe në janar 1994, Iliri i ka rrëfyer Monikës gjithë dashurinë që ndjente për të.

KUR THYEN TABU NË DASHURI DHE POLITIKË

Iliri dhe Monika jo vetëm kanë qenë të pranishëm në lëvizjen për rrëzimin e regjimit komunist, ç’ka i bënte ata të quheshin të rinjtë rebelë të asaj kohe, por nuk u ndalën në asnjë çast të ishin rebelë edhe në dashurinë e tyre, duke e shfaqur menjëherë pëlqimin dhe duke nisur të bashkëjetojnë, rregull ky që për kohën ishte një turp i madh dhe nuk kishte ndodhur më parë, aq më shumë për dy figura që po niseshin të bëheshin fytyra publike të politikës së re në vend.

KUR PARTNERI/JA I/E JETËS KA TË NJËJTËN SHENJË HOROSKOPI

Si Iliri, ashtu edhe Monika janë të shenjës Dashi në hartën e zodiakut. Dashi njihet si shenja që lufton për padrejtësi, është idealiste, gjaknxehtë, e palëkundur dhe atë që dëshiron e merr. Njerëzit e shenjës Dash janë në përgjithësi të patrembur dhe janë të sigurt për çfarë bëjnë e çfarë flasin – virtyte që u japin forcë të brendshme e të jashtme, çka i ndihmon të bëhen liderë të suksesshëm. Vlen për të dy, apo jo?

KUR BASHKË PËRJETON JO VETËM KOHËRA TË MIRA

Çifti Monika-Ilir duket se sot e ka çdo gjë në terezi dhe të shumtë janë ata të cilët shpesh shprehin edhe një farë zilie për jetën që ata kanë mundësi të jetojnë sot më së miri. Megjithatë, jeta e tyre nuk ka qenë gjithmonë vaj dhe ka pasur shumë herë “dallgë e stuhi”. Jo vetëm nga gjithë trazirat politike në vite të ndryshme kur atyre u është dashur sërish të bëjnë rolin e politikanit, burrë e grua, edhe në marrëdhënien e tyre kanë pasur vështirësi të cilat i kanë kaluar bashkë. Në një intervistë shumë vite më parë Monika është shprehur:  “Kujtoj një periudhë pas zgjedhjeve të 26 majit, kur PS nuk njohu zgjedhjet dhe nuk pranoi të hynte në parlament. Iliri nuk merrte rrogë ato kohë dhe ne duhej të jetonim me rrogën time 35 mijë lekë të vjetra si anëtare e këshillit bashkiak. Mbaj mend dy ditë kur nuk kishim asgjë për të ngrënë dhe u ushqyem vetëm me bukë e djathë”.

KUR NGA DASHURIA LINDIN TRE FËMIJË

Bora, Besari dhe Era janë 3 frytet e dashurisë së Monikës dhe Ilirit dhe ndonëse nuk është diçka e jashtëzakonshme të kesh fëmijë, i jashtëzakonshëm është fakti që përpos gjithë angazhimeve politike ata kanë arritur të kenë plot 3 fëmijë që jo vetëm i kanë rritur të mbarë, por edhe me dashurinë për familjen e vendin, mision ky që duket se ka qenë shumë i rëndësishëm për mami Monën dhe babi Ilirin.

KUR NJË ÇIFT ËSHTË PARTNER NË JETË E NË PUNË

Shumë mendojnë se ka qenë më e lehtë për ta pasi kanë qenë gjithë kohës bashkë, si në punë ashtu edhe në shtëpi, që prej fillimit dhe kjo bën që çifti mos të krijojë distancë. Në një farë forme, kjo është e vërtetë, por duke pasur parasysh gjithë angazhimin e tyre në punë, mund të ndodhë që partnerët ta shohin më shumë si miq njëri-tjetrin dhe të humbasë pasioni, një balancë shumë e vështirë e për të cilën duhet të kujdesesh shumë.  “Më duket normale. Në fund të fundit, simpatia, dashuria, seksi, vjen një ditë dhe bëhen rutinë. Ndërsa miqësia, komunikimi i përbashkët nuk lodh kurrë, përkundrazi afron më tepër dhe e bën çiftin të pandashëm”, – ka thënë Monika në një tjetër intervistë për revistën “Klan”.

KUR NË ÇIFT FEMRA DHE MASHKULLI JANË TË BARABARTË

Kjo në fakt është një nga virtytet më të çmuara të lidhjes së tyre. As Iliri dhe as Monika nuk janë nënshtruar ndonjëherë te njëri- tjetri duke qenë gjithmonë të dy shumë kontribuues si në jetën personale, ashtu edhe në atë që kanë ndërtuar bashkë, si dhe edhe te fëmijët e tyre. Të dy ruajnë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe kjo është vënë re sidomos së fundmi kur Monika Kryemadhi është shprehur shumë herë se ajo është vetë e fortë dhe mund t’i përballojë vetë sfidat në karrierën e saj, duke ndërtuar kështu edhe bazën e simpatizantëve, krejt e vetme, pa pasur nevojën e një mashkulli në krahë, edhe kur ky mashkull është një burrë i fortë si Ilir Meta.

KUR NJË ÇIFT MUNDET TË KRIJOJË BASHKË NJË FORCË TË RËNDËSISHME POLITIKE

Sigurisht që kanë qenë disa emra që kanë marrë pjesë në themelimin e LSI-së, por deri në fund ajo do mbetet krijesa e Monikës dhe Ilirit, çiftit që mori përsipër një sfidë shumë të madhe, që u duk edhe më e madhe se shpatullat e tyre por me anë të zgjuarsisë dhe organizimit ata arritën ta kthejnë LSI-në faktor kryesor në politikën shqiptare. Njerëzit i duan e i përkrahin çdo herë e më shumë në shtëpinë e tyre politike dhe iniciativa e LSI-së për të qenë forcë e parë nuk duket aspak një ëndërr.

KUR NJË ÇIFT VEPRON ME QETËSI DHE DASHURI

Edhe nëse nuk e keni dëgjuar nga goja e vetë Ilir Metës, me shumë mundësi e keni parë në meme të ndryshme shprehjen “me qetësi dhe dashuri”. Por në fakt, kjo ka qenë fiks mënyra se si kanë vepruar Iliri dhe Monika jo vetëm në çështjet e rëndësishme politike, por edhe në momentet më kyçe të jetës së tyre.

KUR NJË ÇIFT ËSHTË POPULLOR DHE ME SHUMË HUMOR

Të gjitha daljet publike të Ilirit dhe Monikës janë me shumë humor. Ata përdorin ironinë, autoironinë, batuta mes njëri-tjetrit dhe kolegëve, përdorin gjuhë të thjeshtë dhe shumë popullore, gjithçka për të qenë sa më afër publikut, gjë që i bën edhe më skeptikët për ta të kenë një mendim pozitiv.

KUR NJË ÇIFT ËSHTË GJITHMONË NË PROGRES

Qoftë në karrierën e tyre, qoftë në familje, por edhe në pamje, Iliri dhe Monika nuk kanë preferuar të mbeten në vend. Ata janë gjithmonë duke kërkuar për më tepër, duke kërkuar më të mirën prej vetes dhe prej asaj që bëjnë, duke bërë që çifti i tyre të mos jetë kurrë në regres, siç ndodh rëndom me figura publike.

Të gjitha që janë listuar më sipër, por me siguri edhe të tjera që janë lënë pa thënë, na bëjnë në fakt të mendojmë se nëse ka një çift në politikën shqiptare që realisht meriton të jetë çifti presidencial si për imazhin që kanë krijuar ndër vite, ashtu edhe për punën që kanë bërë me njëri-tjetrin, është Monika dhe Iliri, ndaj nuk na vjen aspak habi që këta të fundit do t’i shohim në këtë rol. Gjatë betimit, ata thjesht do të bëjnë të ligjshëm një titull që në fakt qenë i tyri që në fillimet kur bashkë u njohën në FRESSH dhe nuk patën të ndalur që prej asaj kohe. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje