Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

“Pse, beqarë do rrimë ne?”- flet djali i fejuar me 12-vjeçaren

“Pse, beqarë do rrimë ne?”- flet djali i fejuar me 12-vjeçaren
April 11
10:18 2017

Pak ditë pasi “Pasdite në Top Channel” solli historinë e një 12-vjeçareje nga fshati Polis Sheh i Librazhdit, që ishte fejuar nga prindërit, emisioni ka mundur të sjellë versionin e dhëndrit.

Alfred Karaj, 24-vjeçari nga fshati Kaliveç i Gramshit, tregon se si e ka njohur të miturën.

“Jemi njohur me mblesëri. Goca ka rënë dakord, kanë ardhur njerëzit dhe kanë parë, gjithçka në rregull. Kemi bërë marrëveshje”,- thotë ai.
Pyetjes nëse ka dijeni se e kap ligji për martesë nën moshën 18 vjeç, Alfredi i përgjigjet: “Pse, do të rrimë beqarë ne?”

I riu këmbëngul se vajza është 14 vjeç, duke e konsideruar këtë si moshë më të lejueshme.

“E kam pasur një herë vajzën në shtëpi, pastaj e kam çuar prapë lart”, – rrëfen ai, duke iu referuar fshatit malor ku jeton nusja e tij 12-vjeçare.

“Prindërit janë njerëz normalë dhe nuk kam dëgjuar asgjë për ta”.

Duke u mbrojtur nga e gjithë kjo ngjarje që e vuri në qendër të vëmendjes, ai thekson se do ta presë vajzën të mbarojë shkollën, e më pas të martohen.

“Nuk kam kushte ekonomike që ta çoj në shkollë të lartë, por të mesmen do ta mbarojë”.

Alfredi kërkon që të tjerët të mos ndërhyjnë në këtë situatë, sepse gruaja e tij s’ka ankesa për të dhe se është jeta e tyre private.

I pyetur nëse 12-vjeçarja e ka marrë e vetme këtë vendim, 24-vjeçari shprehet: “Do të rritet avash-avash”.

Pak ditë më parë edhe emisioni italian “Le iene” shkoi në Librazhd, ku intervistoi protagonistët e kësaj ngjarjeje. Ajo që për vetë ata ishte normale, tërhoqi vëmendjen e emisionit të njohur.

Pas kësaj që ka ndodhur, pritet që policia e Librazhdit të thërrasë familjen e vajzës dhe djalin për t’i pyetur mbi atë që ka ndodhur. /Blitz.al/

Share