Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Protesta në mbrojtje të të miturve: Nuk jeni vetëm

Protesta në mbrojtje të të miturve: Nuk jeni vetëm
May 23
22:34 2016

Pasditen e sotme u zhvillua protesta në mbrojtje të fëmijëve që kanë rënë pre e dhunës dhe abuzimeve seksuale. Qindra qytetarë marshuan nga Piramida drejt sheshit “Nënë Tereza” në mbështetje të fëmijëve që abuzohen në forma të ndryshme.

Qytetarët që iu bashkuan kësaj nisme mbanin në duar pankarta me shprehje ku shprehnin zemërimin ndaj abuzimit me të miturit apo përkrahjen për këta të fundit, qenie të pambrojtura të shoqërisë.

Ishte Edlira Cepani, që përmes thirrjes në rrjetin social “Facebook”, ftoi qytetarët të reagonin. Protestuesit patën mundësinë që në pankarta të bardha të shkruanin mesazhe dashurie dhe solidariteti për fëmijët e dhunuar apo abuzuar seksualisht.

“Një mesazh se sado larg të jemi, e sado pak të kemi në dorë, të paktën zërin do ta ngremë! Mesazh dashurie për fëmijët, por edhe mesazh force për ata vendimmarrës dhe kujdestarë që kanë në dorë jetët e tyre të pambrojtura!”, shkruante ajo ndër të tjera.

Ky reagim i opinionit publik erdhi pas skandalit të shënuar në jetimore në Shkodër, kur zyra e Prokurorit zbuloi dyshimet për abuzimet me tre të mitura të moshave 6, 8, 11 vjeç në Qendrën Rezidenciale për Fëmijë në Shkodër. Prokuroria urdhëroi arrestimin e drejtoreshës së qendrës dhe disa punonjëseve.

Etiketimet
Shperndaje