Protesta e sotme e studentëve, ja për çfarë bëhej fjalë

Ditën e sotme, studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit kanë braktisur mësimin dhe kanë protestuar përpara universitetit. Arsyeja kanë qenë disa vendime të papritura të marra për ta.
“Arsyeja e parë ishte pagesa për çdo kredit të provimeve të mbartura nga 670 lekë; arsyeja e dytë, njoftimi shumë i papritur për pagesën e shkollës, e cila duhet të bëhet brenda datës 15 dhjetor, ndërkohë që ne s’kemi as një javë që e kemi marrë vesh dhe data 15 erdhi; ka persona që e kanë problem këtë vlerë se janë nga rrethet dhe arsyeja e tretë është që të krijohet mundësia e kësaj pagese nëpërmjet kësteve”, thotë njëri prej studentëve për Top Channel.
Këto vendime sipas tyre nuk janë të drejta, pasi vetë shkolla me mjetet e nevojshme kushton shumë. Studentët tregojnë se për çdo printim apo fotokopjim i duhet të paguajnë, ndërkohë që mjetet mund të shkojnë dhe deri në 10000 lekë në muaj.
Brenda 2 orësh u mblodhën 900 firma për peticionin që do i dorëzohet institucionit përkatës. /Blitz.al/