Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Prostitucioni në Belgjikë, Krimet e Rënda konfiskojnë llogarinë bankare prej 850,000 eurosh

Prostitucioni në Belgjikë, Krimet e Rënda konfiskojnë llogarinë bankare prej 850,000 eurosh
April 09
12:50 2016

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfiskuar llogarinë bankare prej 850 mijë eurosh të shtetases Rovena Kalemi, pasi është provuar se janë përftuar nga trafiku i qenieve njerëzore. Burime zyrtare të prokurorisë kanë bërë me dije se e akuzuara nuk kishte arritur të justifikonte burimin e ligjshëm të parave.

Gjatë hetimit të kryer u ndërthurën elementë të mashtrimit dhe lëvizje të shpeshta të shumave të konsiderueshme që kryheshin përmes transaksioneve bankare të kryera në Zvicër, Gjermani, Luksemburg, Shqipëri.

Prokuroria për Krime të Rënda bindi gjykatën të konfiskonte të ardhurat e shtetases Kalemi, të cilat kanë prejardhjen nga sektori i paligjshëm i prostitucionit. Ishte Prokuroria e Durrësit ajo që fillimisht zhvilloi hetimin, shtyrë nga dyshimet e kryerjes së veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Dy shtetas shqiptarë të papunë dhe një belg, me profesion infermier, kanë qarkulluar rreth 2 milionë euro në verën e 2014-s. Sipas pretendimeve të tyre, Rovena Kalemi, kishte marrë prej mikut të saj, Eric Nyssen, shuma të konsiderueshme parash për të blerë një apartament të përbashkët dhe për të hapur një biznes privat. Këta të dy ishin njohur në Belgjikë dhe kishin vendosur të bashkëjetonin në Shqipëri.

Referuar sërish të njëjtave pretendime, duke qenë se fillimisht Rovena Kalemi nuk kishte llogari bankare, thuhet se i ka kërkuar mikut belg të dërgonte një pjesë të parave në emër të të njohurit të saj, Bledar Corraj. Këto para, shtetasi belg i justifikonte me trashëgimi nga prindërit dhe të tjera aktivitete tregtare në Belgjikë, ndërkohë që punësimi i tij zyrtar ishte infermier në një spital publik në Bruksel.

Komento