Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Prostitucion virtual në Tiranë, ja ku ndodhen disa prej studiove. Vajzat shantazhohen në rast se duan të largohen

Prostitucion virtual në Tiranë, ja ku ndodhen disa prej studiove. Vajzat shantazhohen në rast se duan të largohen
April 25
23:52 2016

Disa studio që funksionojnë në Shqipëri, mundësojnë punësim të vajzave, të cilar përmes chatit përmbushin favoret seksuale të klientëve të huaj. Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka zbuluar këto studio të paregjistruara që mundësojnë prostitucion virtual, duke sjellë kontretisht rastin e tri studiove të tilla që punojnë në Tiranë.

Investigimi ka nisur pas ankesave të banorëve të një pallati, të cilët janë ankuar se dëgjojnë disa zhurma të çuditshme në një banesë që hyjnë herë pas herë vetëm disa femra. Gjatë investigimit, gazetarja e “Fiks Fare”, e cila u paraqit fillimisht si një studente që kërkonte punë, u takua me menaxheren e studios pranë ambulancës së specialiteteve në kryeqytet, e cila i shpjegoi se studio ka të punësuara 7 vajza që bëjnë këtë punë, pra prostitucionin virtual. Që të punësohesh pranë këtyre studiove, duhet të kesh njohuri të gjuhës angleze, pasi kompania mëmë me të cilën janë të lidhura, ndodhet në Angli. Studiot janë ilegale, pasi sipas menaxheres, taksat i paguajnë në Angli.

“Është një lloj chati me klientë të huaj, biseda në anglisht. Në bazë të krediteve që fiton, paguhesh. Dmth sa më shumë minuta ta mbash klientin në linjën tënde, aq më shumë paguhesh”, është shprehur ajo.

Studio tjetër është një garsionierë e marrë me qira në një kompleks të ri pallatesh pranë Qytetit Studenti në kryeqytet, ku nëse vajzat arrijnë të punësohen, paguhen me kredite. Çdo kredit është i barabartë me një minutë në linjë dhe çdo minutë paguhet.

“Ka vajza që arrijnë të fitojnë edhe 18 mijë lekë të reja në natë, madje edhe 20 mijë lekë të reja, varet sa gjatë e mban klientin në linjë. Paga mujore mund të shkojë deri në 80 mijë lekë të reja në muaj.”, ka bërë me dije menaxherja e studios.

Gjatë investigimit është zbuluar se në studio gjendeshin disa kompjuterë, lodra seksuale dhe veshje të brendshme. Studio e tretë ndodhej në një apartament në zonën e njohur si “Astiri”, në Unazën e Re, Tiranë. Menaxherja e kësaj studioje, një 20-vjeçare i ka treguar gazetares investigative se e kishte nisur këtë punë që 18 vjeç dhe gjatë kësaj kohe kishte tentuar edhe vetëvrasjen pasi shkëputja prej kësaj pune është e pamundur.

Ajo i rekomandoi gazetares të prezantuar si vajzë që kërkonte punë, që të mos jepte identitetin e vërtetë, pasaportën në momentin kur kërkon punë në këto studio, pasi më pas kur mund të duash të largohesh pronarët e studiove nuk të lejojnë, duke të bërë shantazh.

“Shqetësimi i përhershëm i këtyre vajzave që punojnë në këto studio është si të largohen nga kjo lloj pune, pasi në momentin që do të largohesh nga një studio, pronarët të shantazhojnë, pasi dinë gjithçka për ty dhe ekziston mundësia e hedhjes së filmimeve në “Youtube”. Ka disa djem që u bëjnë presion vajzave që punojnë në mënyrë që të mos shkëputen nga studio.

Një tjetër studio është një që ndodhet tek “Komuna e Parisit”, që njihet si “studio ndëshkimi”. Atje vajzat që punojnë i detyrojnë të kryejnë veprime perverse dhe të dhimbshme.”, është shprehur ajo.

Komento