Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Prokuroria kërkon 6 vite burg për ish-kryeinspektorin e urbanistikës së Tiranës, lejoi ndërtime të paligjshme

Prokuroria kërkon 6 vite burg për ish-kryeinspektorin e urbanistikës së Tiranës, lejoi ndërtime të paligjshme
October 17
20:37 2016

Nga Anduena Llabani

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 6 vite heqje lirie për ish-kryeinspektorin e urbanistikës së Tiranës, të Bashkisë Tiranë, Florenc Hoxha, i akuzuar për shpërdorim të detyrës. Në pretencën e përpiluar për dosjen e Hoxhës dhe 16 inspektorëve të tjerë, një kopje të së cilës e disponon edhe Blitz.al, organi i akuzës kërkon 34 vite burgim. Të pandehurit kanë pranuar gjykimin e shkurtuar dhe në rast dënimi nga gjykata përfitojnë uljen e dënimit me një të tretën.
Prokuroria e Tiranës ka provuar se Hoxha ka shpërdoruar detyrën në 531 raste. Ndërsa 16 vartësit e tij gjithsej 622 herë. Përveç dënimit me burg për Hoxhën prokuroria ka kërkuar edhe heqjen e të drejtës për të ushtruar detyra publike për tre vjet, ndërsa për vartësit e tij 1 vit.
Sipas hetuesve këta persona kanë lejuar ndërtimet e paligjshme në të gjitha zonat e kryeqytetit duke pasur dijeni. Në dosjen që ka administruar gjykata bëhet e ditur se këta persona, gjatë ushtrimit të detyrës, nuk kanë vepruar për të ndaluar ndërtimet në kundërshtim me ligjin, duke i sjellë në këtë mënyrë mjedisit dhe buxhetit të shtetit dëme të konsiderueshme.
Hetimi përfshin kohën nga korriku deri në dhjetor të vitit 2013. Kallëzimi është bërë nga IKMT dhe më pas ka qenë njësia task-forcë e prokurorisë së Tiranës që ka ndjekur hetimet mbi shkeljet. Në bazë të tyre, Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës rezulton se ka vendosur qindra urdhra për pezullim ndërtimesh. Por pas përfundimit të afatit të pezullimit nuk është marrë asnjë vendim tjetër, duke lejuar në këtë mënyrë ndërtuesin të vazhdojë punimet, pasi nuk e pengonte asnjë ligj apo urdhër.
Një tjetër shkelje, sipas hetimit, është se inspektorët, në të gjitha rastet që kanë konfirmuar një ndërtim të paligjshëm, nuk kanë vënë në dijeni subjektet. Të gjitha procesverbalet liheshin në objekt, por pa u firmosur nga pronari. Në të gjitha rastet është faktuar se të gjitha ndërtimet janë përfunduar, pavarësisht se ndaj tyre ka pasur vendime për pezullim apo gjoba në vlerë monetare.

Inspektorë të INUV Kamëz

Dënimi i kërkuar me burg:

Përparim Kolaveri: 3 vjet e 6 muaj

Afrim Deda: 3 vjet e 6 muaj

Arjan Hoxhaj: 3 vjet

Lulzim Shpata: 3 vjet

Agron Trezhnjeva; 3 vjet

Kol Hila; 3 vjet

Gazmir Marku: 3 vjet

Petrit Jani: 3 vjet e 6 muaj

Murat Mena: 3 vjet

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje