Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Prokuroria, hetim në gjendje të lirë për pilotin italian pasi bashkëpunoi me drejtësinë

Prokuroria, hetim në gjendje të lirë për pilotin italian pasi bashkëpunoi me drejtësinë
September 16
15:24 2016

Nga Anduena Llabani

Piloti italian Guido Andrea Guidi pranon të bashkëpunojë me drejtësinë shqiptare, kundrejt hetimit të tij në gjendje të lirë.

Guidi ka rrëfyer se ka ardhur edhe dy herë të tjera në Shqipëri për të verifikuar terrenin. Duke treguar me detaje se një shtetas italian dhe shqiptar e kishin kontraktuar në Milano, për të kryer transport droge nga Shqipëria me avion, ai u ka thënë hetuesve se grupi kriminal i kishte treguar hartën dhe koordinatat e vendit ku do të aterojë në zonën e Ishmit. Piloti ka treguar se kishte ardhur për të provuar pistën dhe më pas do të vinte përsëri në Shqipëri në fund të muajt për të kryer 200 kg e para të transportit të drogës.

Prokurorët janë shumë të rezervuar për të dhënë informacion rreth dëshmisë së tij. Prokurorët i janë drejtuar për informacion “INTERFORCE”-s  italiane për identifikimin e personave kontraktues në Itali. Zyrtarisht pilotit italian i është komunikuar akuza “Shkelje e rregullave të hapësirës ajrore” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit”, për të cilat do të hetohet në gjendje të lirë. Sipas prokurorisë, ai dyshohet edhe për veprën penale të trafikut të drogës të mbetur në tentativë, vepër që po punohet për ta dokumentuar nga prokurori i krimeve të rënda, Përparim Kulluri.

Në prokurori janë shoqëruar edhe pronarët e tokës, të cilët kanë mohuar se janë ndërtuesit e pistës në fshatin Gotull të Ishmit. Pas kontrollit të avionit, policia dhe prokuroria nuk kanë gjetur gjurmë të lëndëve narkotike./Blitz.al/

Komento
Shperndaje