Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimet për avionin në Ishëm

Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimet për avionin në Ishëm
September 15
17:06 2016

Nga Anduena Llabani

Prokuroria për Krime të Rënda nis hetimet për trafik droge ndaj pilotit italian Guido Andra Guidi, 69 vjeç, i cili uli avionin në fushën e fshatit Gotull në Ishëm të Durrësit. Prokurorë të krimeve të rënda, të shoqëruar nga oficerë të policisë gjyqësore, kanë kryer veprimet e para hetimore në vendin e uljes së avionit.

Mësohet se vendi ku është ulur avioni është një fushë rreth 1500 metra e gjatë dhe janë ngritur dyshime se është tokë e bërë enkas për ulje avionësh. Ekspertët në vendin e ngjarjes kanë konstatuar gjurmë të freskëta makine dhe zetori, ç’ka kanë hedhur dyshime se avioni mund të jetë ulur për t’u ngarkuar me lëndë narkotike.

Kjo për faktin se zona ku është ulur avioni rezulton një zonë e dyshimtë për ulje avionësh, informacion ky i dhënë edhe nga agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror. Dyshohet se piloti i avionit është kontraktuar nga rrjeti i fuqishëm i trafikut të drogës në zonën e Malësisë së Krujës. Për këto dyshime, dosja i ka kaluar për hetim Prokurorisë për Krime të Rënda.

Burimet thonë se piloti italian ka dorëzuar vetëm një aparat celular, por po kërkohet në vendin e uljes për ndonjë aparat tjetër telefonik, pasi dyshohet se ai mund ta ketë hedhur. Nga ana tjetër, zyrtarisht nga Drejtoria e Aviacionit Civil mësohet se piloti italian, gjatë fluturimit nuk është pikasur nga radarët sekondarë të aeroportit të Rinasit.

Kjo pasi dyshohet se ai mund të ketë fikur transponderin, pajisjen që diktohet nga radarët në fluturim. Dyshohet se nuk ka asnjë leje për fluturim brenda territorit shqiptar, ç’ka shton dyshimet se avioni ka ardhur për t’u ngarkuar me lëndë narkotike. Edhe komunikimi në momentin e rrëzimit vërteton se piloti i avionit nuk e ka pasur me kullën e vrojtimit në aeroportin e Rinasit. I pyetur për këtë fakt, piloti italian është justifikuar me faktin se nuk ka pasur mundësi komunikimi pasi problemet e motorit i kanë shkaktuar edhe ndërprerje të elektronikës së avionit./Blitz.al/

Shperndaje