Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Prezantohen fanellat e reja të Kombëtares. “Ti Shqipëri më jep nder” e shkruar në to

Prezantohen fanellat e reja të Kombëtares. “Ti Shqipëri më jep nder” e shkruar në to
February 22
12:10 2017

Pas suksesit të arritur në Kampionatin Europian të vitit të kaluar, Kombëtarja Shqiptare ka prezantuar fanellat e reja që do të kenë sërish markën “Macron”.

Fanellat do të përdoren për herë të parë në ndeshjen e parë të 24 marsit me Italinë, që do të luhet në stadiumin “Barbera” të Palermos.

Në ceremoninë e rastit, ku ishte i pranishëm presidenti i federatës Duka dhe ministrja Nikolla, u treguan detajet e modelit të ri, ku gjithçka është bazuar rreth shqiponjës, simbolit të identitetit shqiptar.

Gjithashtu është ruajtur edhe logoja e federatës, për ta personifikuar fanellën, në mënyrë që të mos shumëfishohet në mënyrë abuzive.

“Jemi sot këtu për të prezantuar fanellën e re. Një vit më parë kemi shpallur “martesën” 6-vjeçare me “Macron”, që prodhoi një fanellë me të cilën u përfaqësuam në Europian, triumf ishte dhe besoj na solli sukses. Ishte fat për ne, por edhe për “Macron” që nga ajo ditë ka rritur shifrat e saj në tregun botëror jo vetëm me bluzat e Shqipërisë. Bluza e re uroj të na sjellë sërish fat dhe të kthehet në simbol për të gjithë ata që do të ndjekin ekipin kombëtar dhe shpresoj të jetë fatsjellëse për ekipin”,- tha Armand Duka në fjalën e tij.

Fanellat janë të një stili bolonjez dhe përfaqësojnë traditën shqiptare dhe simbolet tona në to. Në pjesën e brendshme të fanellës do të jetë i shkruar edhe vargu i famshëm i Naim Frashërit, “Ti Shqipëri më jep nder”.

Në pjesën fundore të fanellës do të ketë vizatime të njëpasnjëshme në formë rombi dhe me krahët e shqiponjës në pjesën e sipërme.

Në njërin krah të kraharorit do të jetë simboli i “Macron” dhe në krahun tjetër logoja e Federatës Shqiptare të Futbollit me shqiponjën.

Fanella e parë do të jetë e kuqe, e dyta e bardhë dhe e treta e zezë sa u përket ngjyrave. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje