Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Presidentja e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini: Mjaft me seksizëm, jemi në 2016-n!

August 11
11:14 2016

Laura Boldrini, presidentja e Dhomës së Deputetëve në Parlamentin Italian, ka reaguar ashpër pas karikaturës që shënjestron ministren e Reformës, Maria Elena Boschi. Reagimi i saj në Twitter vjen pas karikaturës që ka në qendër kofshët e deputetes, të cilësuara si “topolake”.

“Vijoni të satirizoni më së miri. Mjaft me seksizëm, jemi në 2016-n!”- është shprehur ajo në llogarinë e saj, e irrituar për shkrimin e gazetës italiane “Il Fatto Quotidiano”. Ky nuk është reagimi i vetëm pas publikimit të karikaturës që satirizon ministren Boschi.

Nënkryetarja e Senatit, Valeria Fedeli, ka shprehur gjithashtu zemërimin për faktin se satira politike devijon në seksizëm. “Kur satira juaj devijon në seksizëm apo vulgaritet flitet për diçka tjetër. Është një satirë e menduar mirë, e rëndë dhe e turpshme”,- është shprehur Fedeli.

Në një intervistë për “Corriere della Sera”, redaktori kërkoi falje, duke u shprehur se titulli ishte ndryshuar pasi u kuptua se ai mund të shkaktonte ofendim. Në reagimin e tij ndaj kritikave për karikaturën, zëvendësdrejtori i “Il Fatto Quotidiano” tha se ky artikull ishte i vetmi që ka shkaktuar indinjatë në faqen e parë të gazetës që përfshinte edhe një artikull, i cili apelonte për ndërhyrje urgjente humanitare në Siri. /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje