Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Policia speciale e Kosovës informon për dy bashkëpunëtorët e dyshuar për akte terroriste në Tiranë

Policia speciale e Kosovës informon për dy bashkëpunëtorët e dyshuar për akte terroriste në Tiranë
November 21
10:37 2016

Nga Anduena Llabani

Mossadi informoi i pari për akte terroriste në ndeshjen Shqipëri-Izrael.

Në një dokument të siguruar nga prokuroria e Kosovës zbardhen emrat e personave të përfshirë dhe të dyshuar si organizatorë të akteve terroriste.

Ata janë Visar Ibishi dhe Flamur Gashi nga Mitrovica e Kosovës. Të dyshuar si 2 nga 18 të arrestuarit e ditëve të fundit për terrorizëm në Kosovë, ata kanë pranuar të bashkëpunojnë me policinë dhe prokurorinë speciale.

Blitz.al ka mësuar nga burimet konfidenciale pranë Drejtorisë së Antiterrorit në Tiranë se policia e Kosovës ka njoftuar se të dyshuarit Ibishi dhe Gashi kanë pranuar të marrin statusin e bashkëpunëtoreve, duke treguar me detaje planin e sulmit me eksploziv në Shkodër.

Nuk jepen shumë detaje për të dhënat e deklaruara, pasi burimet thonë se ndodhen në fazën e verifikimit të thënieve të tyre. Ata thonë se Ibishi ka pranuar se pas komunikimeve të vazhdueshme me Lavdërim Muhaxherin dhe Ridvan Heqimin, prej tyre kanë marrë urdhrat për sulm terrorist. Ata kanë treguar – thonë burimet – edhe veprimet konkrete që kanë kryer si në Kosovë e Shqipëri për të realizuar një sulm me eksploziv gjatë ndeshjes Shqipëri – Izrael në Shkodër.

Zyrtarisht, policia e shtetit thotë se është në pritje të deklaratave të këtyre dy bashkëpunëtoreve, që të vijnë në rrugë zyrtare, për të kryer edhe verifikimet konkrete në Shqipëri. Nga ana tjetër, edhe burime nga Prokuroria për Krime të Rënda thonë se nuk kanë një informacion zyrtar për këtë fakt, por po presin materialet nga drejtësia e Kosovës.

Për hetuesit tashmë janë saktësuar lidhjet e disa prej 18 të arrestuarve në Kosovë me 4 të prangosurit në Shqipëri. Kontaktet mes tyre – thonë burimet – kanë qenë të vazhdueshme për shkak edhe të lidhjeve familjare, pasi Besart Peci, i arrestuar në Kosovë, është kunati i ish-oficerit të forcave komando Medat Hasani, i arrestuar në Shqipëri.

Burimet thonë se edhe takimet mes tyre janë fotografuar në Shqipëri e Kosovë, por pritet të zbardhen detaje të reja në ditët në vazhdim. Për prokurorinë shqiptare, 4 të arrestuarit në Shqipëri kanë rolin e mbështetësve dhe shoqëruesve të personave që do të vinin nga Kosova për të kryer akte terroriste në Shqipëri. /Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje