Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Policia padit kompaninë që do të prodhonte uniformat

Policia padit kompaninë që do të prodhonte uniformat
September 21
22:39 2016

Policia e Shtetit ka paditur kompaninë “Marsi&Al” e cila do të prodhonte uniformat e policisë. Ata kanë prishur kontratën me këtë kompani dhe e kanë paditur për shkak se materiali i veshjeve ishte shumë i dobët. Gjithashtu kjo kompani do të dalë nga konkurrimi për të prodhuar veshjet e Policisë së Shtetit për 3 vitet në vazhdim.

Deklarata e Policisë së Shtetit:

Lidhur me lajmin e publikuar sot në media, për prishjen e kontratës me kompaninë që fitoi tenderin për pajisjen me uniforma të Policisë së Shtetit, sqarojmë se:

Policia e Shtetit ka ndërprerë kontratën me kompaninë “Marsi&Al”, e cila duhej të prodhonte uniformat e reja të punonjësve të policisë për shkak të cilësisë së dobët të mallit dhe ka dërguar për ndjekje penale në prokurori përfaqësuesit e saj zyrtarë.

Përveç procedimit në prokurori, ndaj kompanisë kontraktore janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për bllokimin e garancisë financiare të kontratës në favor të Policisë së Shtetit.

Theksojmë se për shkak të cilësisë së dobët të mallrave dhe jashtë kushteve të kontratës, kompanisë nuk i është bërë asnjë pagesë nga Policia e Shtetit.

Gjithashtu është përgatitur dokumentacioni për Agjencinë e Prokurimit Publik me qëllim përjashtimin e kësaj kompanie për një periudhë trevjeçare nga konkurrimi për prokurime publike.

Analizat laboratorike kanë treguar se më shumë se 10 objekte të ndryshme që i përkasin uniformës së Policisë së Shtetit nuk janë në parametrat e kërkuara sipas specifikimeve teknike të tenderit dhe në përputhje me kontratën e firmosur.

Ndër materialet që nuk kanë qenë në përputhje me specifikimet e kontratës është objekti “Bluzë pambuku me 2 kopsa për Policinë Rrugore”, e cila është testuar në përdorim, nga ku ka rezultuar me humbje të ngjyrës (pjesa e verdhë) deri në 70% të saj. Policia e Shtetit ka zgjidhur kontratën më 2 shtator duke njoftuar shoqërinë për ndërprerjen e kontratës.

Policia e Shtetit ka referuar një material kallëzimi pranë prokurorisë, në ngarkim të kompanisë “Marsi & Al” sh.p.k., për akuzën “Shpërdorim i kompetencave”./Blitz.al/

Komento
Shperndaje