Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Policia e Shtetit vlerësohet me certifikatë nderi për operacionin “Ballkan”

Policia e Shtetit vlerësohet me certifikatë nderi për operacionin “Ballkan”
October 15
11:14 2016

Nga Anduena Llabani

Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako, priti dje në një takim drejtorin e Përgjithshëm të SELEC, z.Toni Jakomovski në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të vendit tonë dhe Qendrës për Zbatimin e Ligjit në Europën Juglindore SELEC, në luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit. Z.Toni Jakomovski i ka dorëzuar drejtorit të Policisë së Shtetit, z. Haki Çako, certifikatën e nderit me motivacion “Në mirënjohje për arritjen e rëndësishme në luftën ndërkombëtare kundër krimit të organizuar”, për pjesëmarrjen dinjitoze në operacionin “Ballkan”, i cili është vlerësuar si më i suksesshmi në Europën Juglindore për vitin 2016, në mes shumë operacionesh të tjera. Z. Jakomovski ka falënderuar z.Çako për kontributin e tij personal si dhe për pjesëmarrjen aktive të strukturave Policore Shqiptare në hetime të përbashkëta me vendet e rajonit, veçanërisht në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

Drejtori i Policisë së Shtetit, z. Çako, ka falënderuar drejtorin e SELEC për këtë vlerësim që i është bërë Policisë Shqiptare. “Akordimi i kësaj certifikate tregon më së miri besimin që kanë partnerët te Policia e Shtetit. Bashkëpunimi me SELEC dhe me të gjithë partnerët tanë është me shumë rëndësi, qoftë në luftën kundër krimit të organizuar, ashtu edhe në luftën kundër terrorizmit, në interes të sigurisë në rajon e më gjerë”. Në vijim, Z. Jakomovski ka zhvilluar një takim me drejtorin e Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Drejtues i Lartë Ardian Çipa, ku ka shprehur vlerësimet maksimale për bashkëpunimin midis autoriteteve policore shqiptare dhe SELEC, i cili gjatë këtij viti ka qenë shumë i suksesshëm në luftën kundër krimit të organizuar, në veçanti në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe trafikimit të paligjshëm të lëndëve narkotike. Gjithashtu, në takimin e zhvilluar me drejtorin e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, drejtori i Përgjithshëm i SELEC theksoi shkëmbimin në vazhdimësi të informacioneve të ndërsjella në funksion të procedimeve penale në ndjekje, si dhe në marrjen e masave të përbashkëta duke koordinuar veprimet në kryerjen e operacioneve dhe hetimeve të përbashkëta kundër aktiviteteve kriminale e terroriste. Gjatë këtij viti, falë mbështetjes së SELEC, janë realizuar një numër i konsiderueshëm takimesh për shkëmbimin e informacioneve në funksion të procedimeve penale në ndjekje. Policia e Shtetit Shqiptar ka numrin më të madh të pjesëmarrjes në hetime të përbashkëta në Europën Juglindore për vitin 2016. SELEC ka treguar se është platforma më e mirë për shkëmbimin e informacionit në kohë reale.

Operacioni ndërkombëtar antidrogë “Ballkan”, në Shqipëri, Maqedoni, Greqi dhe Bullgari, i finalizuar në korrik 2016, arrestoi 30 persona dhe 23 u shpallën në kërkim, ndërsa u  sekuestruan: 27 kg heroinë, 2 kg kokainë, 184 kg marijuanë, 38000 euro, 1,5 milionë lekë, 4 automatikë, 68 aparate celulare. Vlen të përmendet fakti se ky operacion është vlerësuar edhe në raportet e SELEC dhe është cilësuar si operacioni më i mirë dhe i suksesshëm në të gjithë rajonin./Blitz.al/

w1 w2 w3

Shperndaje