Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Policia e Shtetit takim me partnerët dhe misionet që asistojnë, vlerësohen rezultatet mbresëlënëse në luftën kundër trafikut të drogës

September 21
10:13 2016

Nga Anduena Llabani

Bashkëpunim mjaft i suksesshëm i Policisë së Shtetit me partnerët dhe misionet që asistojnë dhe monitorojnë punën e Policisë së Shtetit. Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor, Haki Çako, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Altin Qato dhe drejtues të tjerë të policisë pritën në një takim Oficerët Ndërlidhës Policorë të atashuar në vendin tonë dhe drejtuesit e misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit.

Ky takim vjen si rezultat i një standardi të ri komunikimi dhe bashkëpunimi të vendosur kohët e fundit nga Policia e Shtetit, për të informuar në mënyrë periodike dhe transparente partnerët, në lidhje me gjithë veprimtarinë e strukturave të Policisë së Shtetit. Takimi i sotëm është përqendruar mbi masat dhe rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka theksuar se ky takim është i treti i këtij formati dhe e ka cilësuar si mjaft të rëndësishëm, pasi për Policinë e Shtetit, marrëdhëniet me partnerët dhe informimi në mënyrë periodike i tyre është një vlerë e shtuar në rezultatet e punës së Policisë së Shtetit.

Çako ka falënderuar përfaqësuesit e Guardia Di Finanza dhe të Universitetit të Napolit, të misioneve ICITAP, PAMECA dhe të OSBE-së, si dhe të gjithë Oficerët Ndërlidhës Policorë të atashuar në vendin tonë, për marrëdhëniet mjaft të mira të bashkëpunimit, për asistencën e tyre në punën dhe veprimtarinë e përditshme të Policisë së Shtetit, si dhe për kontributin e dhënë në luftën pa kompromis që po zhvillon Policia e Shtetit kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, por dhe ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi. Koordinatori i Policisë së Shtetit për misionin e fluturimeve bëri një prezantim të detajuar në lidhje me masat dhe zbatimin e misionit të fluturimeve për zbulimin e parcelave me kanabis me avion të posaçëm të Guardia di Finanza dhe Universitetit të dytë të Napolit.

Prezantimi ishte gjithëpërfshirës, duke dhënë fakte e rezultate të bashkëndara edhe me palën italiane të Guardia di Finanza dhe Universitetin e dytë të Napolit prezent në takim. Edhe këtë vit janë arritur rezultate mbresëlënëse të shkatërrimit të sipërfaqes së identifikuar nga misioni italian i fluturimeve. Për t’u theksuar është fakti se në dy fluturimet e fundit të Guardia di Finanza nuk janë gjetur më parcela të mbjella me kanabis, duke dhënë një dëshmi të pakundërshtueshme në lidhje me ndërhyrjet e Policisë së Shtetit në terren.

Më tej, drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato, ka njohur të pranishmit me rezultatet e deritanishme në këtë fushë, ku ndër të tjera vlen të theksohet se këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, me kërkesë të ministrit Tahiri, monitorimi nga ajri është bërë në të gjithë vendin, duke shtuar edhe orët e fluturimit. Gjithë rezultatet tregojnë për një angazhim total të Policisë së Shtetit, për një kontroll shumë herë më të mirë, për një rritje rreth 5 herë më shumë të operacioneve në terren, për ndihmesën e madhe të dhënë nga ICITAP për GPS për të gjetur koordinatat e dhëna nga monitorimi ajror, për shtim të orëve të fluturimit të avionit të Guardia Di Finanza duke monitoruar jo më zona me risk, por të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Prof. Dr. Carmine Gambardella, Dekan i Universitetit të dytë të Napolit, njëkohësisht drejtor i qendrës “BENECON”, theksoi se gjatë periudhës së monitorimit nuk është evidentuar asnjë problematikë dhe teknologjia e përdorur këtë vit ka qenë 100% e saktë. Përfaqësuesit e misioneve dhe Oficerët Ndërlidhës Policorë e cilësuan këtë takim shumë të vlefshëm si dhe mjaft pozitiv këtë formë komunikimi e informimi të vendosur së fundmi, çka tregon transparencën Policisë së Shtetit gjatë punës së saj.

/Blitz.al/

 

 

Etiketimet
Shperndaje