Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Petrit Vasili: Reforma në drejtësi madhore, nuk duhet të kemi debate të pakapërcyeshme

Petrit Vasili: Reforma në drejtësi madhore, nuk duhet të kemi debate të pakapërcyeshme
September 21
15:18 2016

Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në një komunikim me gazetarët ka folur lidhur me reformën në drejtësi. Vasili tha se kjo është një reformë madhore, të cilën qytetarët e presin, por debatet për të nuk duhet të bëhen të pakapërcyeshme. Njëkohësisht ai ka folur për amendamentin e LSI-së për ligjin për importin e mbetjeve.

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, konfirmon edhe një herë vullnetin e kësaj force politike për miratimin e pr/ligjeve që shoqërojnë paketën e ndryshimeve Kushtetuese. Vasili tha se reforma në drejtësi ka qenë edhe në qendër të takimit të tij me ambasadorët Lu e Vlahutin. Ai njëkohësisht bëri thirrje që debatet për këtë çështje të mos jenë të pakapërcyeshme.

Vasili: Sigurisht në këtë frymë mirëkuptimi dhe pozitiviteti duhet të ecim edhe për gjashtë ligjet, të cilat presin që të kalojnë në sallën e parlamentit në datën 29 shtator, duke nënvizuar edhe rëndësinë e madhe që ata kanë, por njëkohësisht duke vazhduar të kemi po atë qëndrim të hapur që i jep procesit rrugë dhe siguron brenda të gjitha mundësive politike dhe një mirëkuptim sa më të gjerë pasi, në vlerësimin tonë, një mirëkuptim i gjerë është një vlerë e shtuar në soliditetin e reformës të cilën po formësojmë së bashku me paketën e ligjeve.

Reforma në drejtësi është një reformë madhore, një reformë të cilën qytetarët e presin dhe e kërkojnë. Debati është i mirëkuptuar, debati e përmirëson dhe e shëndosh përmbajtjen dhe cilësinë e ligjeve dhe besojmë se nuk ka asgjë të keqe. Por konstruktiviteti për të pasur një zgjidhje të shpejtë të drejtpërdrejtë dhe për të vajtur me ligje sa më cilësore e për t’i miratuar ato më 22 shtator është një qëndrim politik i pandryshuar.

Lidhur me ligjin për importimin e mbetjeve, Vasili sqaroi se amendamenti i propozuar nga LSI synon transparencë përmes përfshirjes së shoqërisë civile në proces.

Vasili: Ne kemi propozuar një pikë shtesë, që i mundëson shoqërisë civile, si shprehja më e pavarur e opinionit mbarëqytetar, që të jetë prezente në këtë proces të zhdoganimit dhe të kontrollit të këtyre mbetjeve, të cilat duhet të vijnë sipas legjislacionit të propozuar, sipas listës së blertë dhe normave të tjera që rregullojnë legjislacionin europian në këtë fushë.

Organet shtetërore nga njëra anë do të jenë nën vëzhgimin e vëmendshëm dhe të vazhdueshëm të shoqërisë civile, që nuk do të kenë kufizime për të qenë të pranishëm në të gjitha etapat e këtij procesi. Sigurisht është përgjigjja besoj edhe në emër të grupit parlamentar të LSI-së, pasi amendamenti është shprehja e vullnetit të të gjithë grupit parlamentar, është pra përgjigjja më e mirë ndaj këtij mosbesimi dhe besojmë që ky dimension transparence, që realizohet me këtë amendament në gjithë raportet ku ka mosbesim, duhet të na shoqërojë edhe për nismat e tjera, jo vetëm ligjore, por edhe të karakterit politik.

Sipas Vasilit, vetëm në këtë mënyrë mund t’i jepet fund mosbesimit të theksuar që ka çështja e importit të mbetjeve. /Blitz.al/

 

Shperndaje