Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Përplasje me armë në Tiranë, arrestohen dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë

Përplasje me armë në Tiranë, arrestohen dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë
October 10
10:32 2016

Nga Anduena Llabani

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy shtetas dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë. Shkak është bërë një situatë e ndodhur një ditë më parë, ku të ndaluarit i kanë zënë pritë njërit prej të shpallurve në kërkim. Situata më pas ka degraduar në kërcënim me armë.

Njoftimi i Policisë Tiranë

Arrestohen dy shtetas në flagrancë dhe shpallen dy të tjerë në kërkim. Në datë 09.10.2016, nga Seksioni për Krimet e Rënda ndaj Jetës, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Erland Markola, 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë”.

– Amarildo Koçeku, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Si dhe është bërë shpallja në kërkim e shtetasve:

– Shpëtim T., 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vjedhje”.

– K. T., 17 vjeç, banues në Tiranë.

Në datë 09.10.2016, rreth orës 00:35, në rrugën “Bedri Karapici”, shtetasit Erlando Markola dhe Amarildo Koçeku i kanë bërë pritë shtetasit Shpëtim T. dhe Amarildo Koçeku dyshohet t’i ketë drejtuar një armë zjarri tip pistoletë, në atë moment Shpëtim T. me makinën e tij tip “Volkswagen” ka përplasur Amarildo Koçekun.

Nga situata e krijuar ka ndërhyrë nipi i Shpëtim T., shtetasi K. T., i cili ka marrë në banesë një armë zjarri tip automatik dhe dyshohet të ketë qëlluar në drejtim të Erland Markolës dhe Amarildo Koçekut, ku për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi Amarildo Koçeku, i cili ndodhet në QSU jashtë rrezikut për jetën. Po më datë 09.10.2016, rreth orës 08:00, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr.6, shtetasi L.M., 21 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka kallëzuar se në datë 08.10.2016, rreth orës 23:00, në rrugën “Bedri Karapici”, dy persona kanë dalë nga një mjet tip “Mercedes Benz”, duke i drejtuar një armë zjarri tip pistoletë.

Nga përshkrimi i personave dhe paraqitja për njohje me anë të fotos, dyshohet se një nga dy autorët të jetë Erland Markola. Në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes janë sekuestruar: katër gëzhoja arme zjarri model 56; një automjet tip “Volkswagen” (në pronësi të Shpëtim T.) Po punohet për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim si dhe gjetjen e armëve të dyshuara të përdoruara në këtë ngjarje.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kanosje” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga Nenet 84-25 dhe 278 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Erland Markola dhe Amarildo Koçeku; për veprat penale “Tentativë vrasje në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga Nenet 76-22-25 dhe 278 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Shpëtim T. dhe K. T.

/Blitz.al/

 

Etiketimet
Shperndaje