Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Përplasja me studentët, Rektori i Universitetit të Tiranës: “Sjellja e policisë e papërgjegjshme”

Përplasja me studentët, Rektori i Universitetit të Tiranës: “Sjellja e policisë e papërgjegjshme”
January 12
09:50 2019

Ditën e djeshme, përpjekja e studentëve për të vazhduar protestën e tyre duke u ngujuar në ambientet e universiteteve të Tiranës, u pengua nga forcat e rendit. Policia private e fakulteteve në bashkëpunim me Policinë e Shtetit u konfrontuan me studentët dhe video të shumta denoncuese tregonin dhunën që ishte ushtruar mbi ta.

Edhe në orët e mbrëmjes ka pasur disa përplasje mes studentëve, të cilët vazhdonin të qëndronin të mbyllur në shkolla dhe policisë që nuk i lejonin të dilnin jashtë për të blerë ushqime. Në lidhje me këtë situatë ka reaguar për herë të parë dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, me anë të një statusi në Facebook mbrëmjen e djeshme. Edhe pse ndërhyrja e policisë në universitete u kërkua me një letër të firmosur nga ai, Rektori shprehet kështu në lidhje me situatën e krijuar:

“Në vijim të ngjarjeve që ndodhën sot në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Drejtësisë, si Rektor i Universitetit të Tiranës por edhe si pedagog prej shumë vitesh, shpreh indinjatën time të thellë personale për veprimet totalisht të papërgjegjshme të disa prej anëtarëve të forcave të rendit në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë.
Studentët e UT janë në të drejtën e tyre legjitime për të protestuar si qytetarë të lirë të një vendi demokratik, për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre për një arsim cilësor dhe bashkëkohor!”

Nga ana tjetër studentët i kanë kërkuar atij që të shkarkojë administratorin që formuloi urdhërin për të kërkuar ndërhyrjen e policisë në shkolla. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje