Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Përkeqësohet moti. Ministria e Brendshme, thirrje qytetarëve të minimizojnë lëvizjet

Përkeqësohet moti. Ministria e Brendshme, thirrje qytetarëve të minimizojnë lëvizjet
November 07
10:59 2016

Gjatë kësaj jave pritet që moti të përkeqësohet së tepërmi duke filluar nga dita e sotme e në vazhdim. Reshje të dendura shiu do të mbulojnë territorin shqiptar dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka urdhëruar ngritjen e shtabeve të emergjencave në të gjithë vendin.

Në njoftimin e policisë thuhet se përveç përmbytjeve, reshjet mund të shkaktojnë dhe rrëshqitje të tokës në zona të caktuara.

“Përveç përmbytjeve, reshjet mund të shkaktojnë edhe rrëshqitje të tokës në zona të caktuara. Situata pritet të përkeqësohet më datën 8 nëntor, sidomos në njësitë administrative të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Sipas parashikimeve të Instituteve Meteorologjike, pritet të ketë fryrje të lumenjve që rrezikojnë të dalin nga shtretërit e tyre”.

Sipas shërbimit meteorologjik, moti parashikohet me vranësira të dendura, pjesërisht shtrëngatë shiu dhe stuhi me intensitet në pjesën bregdetare.

Ministria e Brendshme ka urdhëruar prefektët dhe përfaqësuesit e bashkive në të gjithë vendin që, përveç ngritjes së shtabeve të emergjencës, të vënë në gatishmëri të gjitha kapacitetet njerëzore e teknike-operacionale për të reaguar, sipas situatës. Ata kanë këshilluar qytetarët që të minimizojnë lëvizjet e panevojshme gjatë këtyre ditëve./Blitz.al/

Komento
Shperndaje