Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Përgjimi”, Visho Ajazi: Mbledhja të ishte e mbyllur. Informova Prokurorin e Përgjithshëm

“Përgjimi”, Visho Ajazi: Mbledhja të ishte e mbyllur. Informova Prokurorin e Përgjithshëm
May 18
10:52 2016

Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, Visho Ajazi, është paraqitur ditën e sotme në Komisioni e Sigurisë për të raportuar lidhur me pajisjen përgjuese. Në fjalën e tij, ai i kërkoi komisionit largimin e mediave për shkak se cenohet siguria kombëtare në rast se dëshmia e tij bëhet publike.

“Besoj se duhet të ishte me mirë e mbyllur, pasi është çështje e sigurisë kombëtare. Njerëzit që do ta dëgjojnë këtë informacion duhet të jenë të pajisur me certifikatë sigurie.”, ka thënë Ajazi, kërkesë që ka shkaktuar debat dhe është kundërshtuar nga Paulin Stërkaj.

Sipas Stërkajt, kjo çështje është tashmë publike ndaj edhe nuk përbën problem nëse i bëhet transparente edhe publikur shqiptar. Deklarata e tij është kundërshtuar nga Flamur Noka që kërkoi respektimin e kërkesës së kreut të SHISH.

Më tej, kreu i SHISH deklaroi se ka informacion vetëm se një pajisje e tillë ka hyrë në Shqipëri rreth dy muaj më parë dhe përdoret për qëllime trajnimi. Pasi morri vesh se pajisja nuk ishte e deklaruar, Ajazi shprehet se raportoi tek Prokurori i Përgjithshëm duke i kërkuar të merrte më shumë informacione lidhur me këtë pajisje.

I pyetur se kush ka tagër të bëjë përgjim, kreu i SHISH tha se është një pajisje e domosdoshme për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, por nuk ka informacion për kapacitetet.

Seanca dëgjimore që nisi me kreun e SHISH në orën 10:00, do të vijojë në orën 11:00 me kryeprokurorin Adriatik Llalla, në orën 12:00 me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako dhe do të mbyllet në orën 13:00 me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Komento