Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Përfundon takimi Rama-Basha te Nishani

Përfundon takimi Rama-Basha te Nishani
May 03
12:36 2017

Ka zgjatur gati 3 orë takimi mes kreut të qeverisë Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, në Presidencë me ndërmjetësimin e presidentit Nishani.

I pari që ka lënë Presidencën ka qenë kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi.

Ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha ka dalë më vonë nga selia e kreut të shtetit, i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka.

Takimi i thirrur nga kreu i shtetit filloi në orën 10:00, pas mbërritjes në Presidencë të Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit e më pas Lulzim Bashës dhe Edi Palokës.

Palët kanë shmangur ndërveprimet në ato pak minuta që kanë qenë para kamerave dhe nuk ka ende detaje se çfarë u diskutua në takimin e ndërmjetësuar me shpresën për t’i dhënë fund krizës 3-mujore.

Kamerat janë lejuar të filmojnë më pak se 2 minuta këtë takim, mjaftueshëm sa për të kuptuar se dy liderët kanë shmangur përgjatë kësaj kohe çdo shikim mes njëri-tjetrit.

Por buzëqeshjet e shkëmbyera me Presidentin e Republikës nuk kanë munguar dhe kreu i shtetit, edhe përgjatë këtyre minutave, ka luajtur rolin e negociatorit, duke biseduar herë me njërin e herë me tjetrin, ndërsa Paloka dhe Ruçi nuk janë bërë pjesë e bisedave të shkurtra.

Nuk dihen ende përfundime nga ky takim, nëse është rënë dakord për zgjidhjen apo jo të krizës. /Blitz.al/

Shperndaje