Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Përdorimi i celularit në timon, ja si do të ndëshkohen drejtuesit e mjeteve

Përdorimi i celularit në timon, ja si do të ndëshkohen drejtuesit e mjeteve
October 11
19:31 2016

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, bëri të ditur nisjen e fushatës të dytë me qëllim rritjen e sigurisë rrugore. Ai tha se pas gjobave në rast mosvënie të rripit të sigurimit, drejtuesit e mjeteve do të gjobiten edhe në rast përdorimi të celularit.

Drejtori i Policisë Rrugore, Ardi Veliu, bëri me dije në një intervistë për “Top Channel” se drejtuesve që përdorin celularin në timon do t’u pezullohet patenta. Ky është propozimi i Policisë Rrugore.

Mësohet se rrugorët kanë propozuar që gjoba të variojë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të reja. Aktualisht, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit ndëshkohet deri në 1 mijë lekë të reja, shifër që policia e cilëson si qesharake.

“Masa administrative do të jetë disa herë më e lartë dhe do të shoqërohet me masë plotësuese për lejen e drejtimit për drejtuesin që konstatohet duke përdorur telefonin. Aktualisht shumica e drejtuesve përdorin telefon tip android, që kërkon përdorimin e të dyja duarve dhe për pasojë shpërqendrohen, shkaktojnë pasoja në qarkullim dhe bëhen burim aksidentesh”,- është shprehur Veliu. /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje