Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

PD: Vëllai i kryebashkiakut i ndaluar për trafik droge, u lirua nga ndërhyrja e Ndreut

PD: Vëllai i kryebashkiakut i ndaluar për trafik droge, u lirua nga ndërhyrja e Ndreut
April 20
13:34 2016

Kreu i Departamentit të Rendit në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka denoncuar një rast që flet për pabarazinë e ligjit dhe favorizimin e njerëzve të pushtetit. Në deklaratën për mediat, Alibeaj bëri me dije se rreth orës 19:00 të ditës së djeshme është ndaluar në Fushë-Arrëz vëllai i kryetarit të Bashkisë, Albert Tuci. Sipas Alibeajt, vëllai i kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit është person me precedent penal, i dënuar me 7 vite burg për trafik ndërkombëtar droge.

“Pasi është mbajtur disa orë më pas në komisariatin e Pukës, Tuci ka fituar lirinë, me ndërhyrjen e deputetit Pjerin Ndreu. Dhe pas kësaj, një festë e madhe është zhvilluar në lokalin në qendër të Fushë-Arrëzit, me dolli pa fund për deputetin Ndreu i cili i hoqi prangat të dyshuarit, vëllait të kryetarit të Bashkisë.

Partia Demokratike e konsideron këtë ndërhyrje të paligjshme të deputetit Ndreu, si dëshmi e dy standardeve, e favorizimit të njerëzve në pushtet. Ligji nuk vepron ndaj mikut të deputetit, ndaj vëllait të kryetarit të Bashkisë. Ky ndalim i ligjit para njerëzve të lidhur me pushtetin dhe me deputetët e Edi Ramës, është në fakt oligarkia.”, ka deklaruar ndër të tjera demokrati Alibeaj.

Ai i bëri apel Prokurorisë të hetojë rastin, e të nxjerrë përpara përgjegjësisë deputetin e Ramës dhe ata që urdhëruan lirimin e të dyshuarit.

Etiketimet
Shperndaje