Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

PD çel fushatën për kreun e Bashkisë Dibër, Basha: Sherefedini, njeri i punës

PD çel fushatën për kreun e Bashkisë Dibër, Basha: Sherefedini, njeri i punës
August 26
12:39 2016

Partia Demokratike ka çelur ditën e sotme fushatën elektorale për zgjedhjet në Dibër. Të pranishëm në hapjen e kësaj fushate kanë qenë kreu i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu dhe një ndër figurat më të rëndësishme të PD-së, Besnik Mustafaraj.

Kreu i opozitës e cilësoi kandidatin Shehu si një njeri të punës dhe jo vetëm të fjalëve: “Kur të jem kryeministër do të mbështes Shehun. Ai ka një program konkret për Dibrën, është kandidati i opozitës dhe dibranëve të bashkuar.Është një profesor që ka nderuar Shqipërinë në botë.”

Në vijim të fjalës së tij, Basha akuzoi mazhorancën dhe projektin e saj të Rilindjes që ka për qëllim vetëm vjedhjen e shqiptarëve. “Rama, paratë e buxhetit nuk i ka për ju. Ai nuk e do Dibrën. Kur erdhi këtu, ai nuk kërkoi falje për atë që bëri Shukri Xhelili.”, u shpreh ndër të tjera Basha.

Nga ana tjetër, kandidati demokrat për Bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu, deklaroi se qëllimi i kësaj kandidature është të shlyejë borxhin ndaj Dibrës. Ai prezantoi para dibranëve programin e tij për Bashkinë e qytetit ku është lindur dhe rritur.

“E mora këtë vendim për të kandiduar për të shlyer borxhin e madh që i kam Dibrës. Unë këtu u linda dhe u rrita. Jam këtu përpara jush, për të kërkuar edhe njëherë besimin tuaj. Por këtë herë jo për t’iu përfaqësuar, por për të punuar me ju këtë herë për Dibrën dhe dhënë shpresën.

Do të përcaktoj një fond të veçantë për familjet në nevojë që duhet të paguajnë energjinë. Për biznesin e vogël, premtoj heqje taksash. Për fermerët, premtoj se do të më kenë mbështetje për çdo periudhë kur të kenë nevojë. Kundërshtarët do të më sulmojnë dhe pyetja e parë është: Po lekët ku do t’i gjejë?! E para, është vizioni dhe mbështetja juaj. Më pas, përvoja, integriteti dhe besueshmëria ime janë garanci për financimin e projekteve nga institucione financire dhe donatorë të ndryshëm.” /Blitz.al/