Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pas propozimit për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, Basha sulmon Ramën: “Mbron peshqit e mëdhenj e kënaqet me cironka”

Pas propozimit për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, Basha sulmon Ramën: “Mbron peshqit e mëdhenj e kënaqet me cironka”
January 18
13:55 2018

Pas propozimit të Partisë Socialiste për ndryshimin e rregullores për arrestimin e deputetëve, dita e sotme ka filluar me një sulm të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndaj Kryeministrit Edi Rama. Në një deklaratë për shtyp, Basha ka thënë se Kryeministri nuk arreston “peshqit e mëdhenj”, por kënaqet me “cironkat”, duke e akuzuar Ramën se ai merret me të vegjlit duke mos dashur t’u afohet “kokave të mëdha”.

“Edi Rama ka propozuar një ligj të posaçëm për të mbrojtur peshqit e mëdhenj. Të gjithë ata që prisnin arrestimin e tyre, tani të kënaqen me cironka. Kjo do e kthejë SPAKU-n në një organizatë joqeveritare. Me këtë akt Rama po kthen modelin me të cilin mbrojti Tahirin, të gjithë shqiptarët që presin rezultate nga Reforma në Drejtësi e panë se si Rama e ktheu Kuvendin në gjykatë. Dhe tani po e kthen në ligj këtë model, duke hedhur poshtë Reformën në Drejtësi. Me këto akte që ka ndërmarrë, po zhbën Reformën. Po merr masa që asnjë ministër i korruptuar apo i zhytur në krim të mos dalë para drejtësisë.” – ka thënë Lulzim Basha.

“BalkanWeb” siguroi dje projektligjin ku i kërkonte Kuvendit ndryshime në rregulloren e Parlamentit për hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Vendimi vjen pak kohë pas rastit të ish-Ministrit Saimir Tahiri, kur Prokuroria kërkoi heqjen e mandatit të tij, pas publikimit të disa përgjimeve ku grupi i Habilajve implikonte emrin e tij të lidhur në trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas rregullores aktuale, mjafton që organi i akuzës të dërgojë në Kuvend një kërkesë dhe dokumentet shoqëruese. Socialistët kërkuan që Prokuroria t’i provonte Kuvendit fajësinë, kurse opozita tha se Parlamenti nuk ishte gjykatë. Socialistët në propozimin e tyre i japin të drejtën ligjvënësit që t’i drejtojë pyetje Prokurorisë gjatë shqyrtimit të kërkesës, siç ndodhi edhe për çështjen “Tahiri”./Blitz.al/

 

 

 

Shperndaje