Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Parku i liqenit në Tiranë, pista të reja ecjeje dhe pedalimi

Parku i liqenit në Tiranë, pista të reja ecjeje dhe pedalimi
August 27
20:00 2017

Bashkia e Tiranës ka nisur një nga projektet më të rëndësishme për rigjallërimin e Parkut të Liqenit, atë të ndërtimit të një piste vrapimi, ecjeje dhe pedalimi përgjatë të gjithë liqenit.

“Sot jam dy herë shumë i kënaqur: njëherë si kryetar i bashkisë për një investim fantastik në kurorën e Liqenit, dhe një tjetër herë si vrapues që po përgatitet për ‘Maratonën e Tiranës’. Më në fund po mbajmë premtimin tonë për ta kompletuar pistën e vrapimit të Liqenit të Tiranës. Pista e re fillon nga Kopshti Zoologjik, aty ku mbaron diga, dhe deri në kufi me ‘Pallatin e Brigadave’, që e kompleton në të dyja anët”, tha Erion Veliaj.

Sipas Veliajt, me ndërtimin e pistës së vrapimit, këmbësorët do të kenë ambiente të reja çlodhëse dhe rekreative.

“Kemi pasur ankesa nga admiruesit e çiklizmit prej faktit se, formalisht e kemi ndaluar përdorimin e biçikletës te liqeni prej fluksit të madh të qytetarëve. Kësaj here do të kemi një korsi të dedikuar edhe për çiklistët, që kushdo që të vijë, qoftë për të ndenjur apo pushuar, qoftë për të vrapuar apo për të përdorur biçikletën, të ketë hapësirën e tij në Parkun e Liqenit, i cili sot numëron 300 mijë vizitorë unik çdo vit”, tha më tej Erion Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se ky investim do të shoqërohet me pastrimin e parkut nga të gjitha ndërtimet pa leje, ndërsa u kërkoi qytetarëve bashkëpunim.

“Do të vazhdojmë edhe me Parkun e Farkës dhe atë të Kasharit, por duam që të paktën të përfundojmë njërin nga parqet. Pra, të përfundojmë gjithë pistën, të pastrojmë të gjitha ndërtimet pa leje, që do të thotë që të hiqen gardhet e asaj zone, që deri dje ka qenë e Komunës së Farkës dhe ku zaptimi, tafmaja dhe babëzia ka qenë e përmasave spektakolare. Tani ka ardhur një moment për t’i dhënë një sinjal këtyre qytetarëve të kthehen te prona e tyre. Nëse do të ketë nevojë për shpronësime jemi të gatshëm t’i bëjmë, ama secili duhet të kuptojë që nuk mundet që prej babëzisë personale të prishë pasurinë e përbashkët”, deklaroi Veliaj.

/Blitz.al/

Shperndaje