Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Papa vë firmën, Vinçenc Prennushi dhe 37 të tjerë shpallen martirë të Kishës Katolike

Papa vë firmën, Vinçenc Prennushi dhe 37 të tjerë shpallen martirë të Kishës Katolike
April 27
12:14 2016

Zyra e Shtypit të Vatikanit ka bërë të ditur se Kisha Katolike është pasuruar me një grup të ri martirësh që me besimin në Zot sfiduan ideologjine komuniste që e bëri Shqipërinë vendin “më ateist në botë”.

Në udiencën që Papa i ka dhënë kardinalit Amato, Prefekt i Kongregatës për Shenjtërit, ka autorizuar shpalljen e dekretit per “martirizimin e Shërbëtorit të Hyjit Vinçenc Prennushi i Urdhërit të Fretërve të vegjël dhe 37 shokëve martirë të vrarë gjatë periudhës kohore 1945-1974”.

Me përfundimin e procesit të lumturimit, 38 martirë të rinj i janë dhuruar Kishës Katolike, duke pasuruar pontifikatin e Papa Françeskut.

Ja kush janë 38 martirët shqiptarë të vendosur në këtë proces:

Imzot Vinçenc Prennushi: françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në birucë të burgut, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Fraçesku, bir të cilit ishte!

Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave, si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.

Imzot Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit, i cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.

Dom Alfons Tracki: prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.

Dom Anton Muzaj: u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.

Dom Anton Zogaj: famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.

Dom Dedë Maçaj: i akuzuar si spijun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.

Dom Dedë Malaj: mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.

Dom Dedë Plani: dha shpirt në spital më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.

Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.

Dom Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.

Papa Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.

Dom Zef Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit”.

Dom Lazër Shantoja: meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që s’munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.

Dom Lekë Sirdani: personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

Dom Luigj Prendushi: u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.

Dom Marin Shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.

Dom Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.

Dom Mikel Beltoja: u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.

Dom Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue”.

Dom Ndre Zadeja: prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.

Dom Pjetër Çuni: prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.

Dom Shtjeën Kurti: prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës.

Atë Bernardin Palaj: frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.

Atë Çiprian Nika: françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.

Atë Gaspër Suma: rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg.

Atë Gjon Shkallu: frati i madh filozof, u pushkatua së bashkut me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.

Atë Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.

Atë Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq” komunist. Nuk i dihet as varri.

Atë Serafin Koda: frat françeskan; dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.

Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.

Fran MirakaQerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë pse deshën Krishtin.

Maria Tuci: u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.