Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pallatet tek Diga, Bashkia e Tiranës: Nuk do të ndërtohen, vendim “abuziv” i gjykatës

Pallatet tek Diga, Bashkia e Tiranës: Nuk do të ndërtohen, vendim “abuziv” i gjykatës
July 14
10:06 2016

Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur t’i japë të drejtë kompanisë “Gener 2” shpk, e cila lejohet të vazhdojë punimet tek liqeni. Sipas këtij vendimi të formës së prerë, thuhet se shfuqizohet vendimi i firmosur nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për ndërprerjen e punimeve pranë Liqenit Artificial.

Në vendimin e saj, Gjykata Administrative e Apelit citon se Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë t’i paguajë kompanisë ndërtuese “Gener 2 shpk” dëmin e shkaktuar, si humbjen e pësuar, fitimin e munguar si rezultat i ndërprerjes së punimeve. Duke i cilësuar të paligjshme procedurat e bllokimit të punimeve, është urdhëruar pezullimi i tyre.

Ky vendim ka shkaktuar menjëherë reagimin e Bashkisë së Tiranës, e cila e ka cilësuar si “abuziv”. Bashkia e Tiranës thekson se nuk do të lejohet ndërtimi i pallateve.

“Edhe pse ky vendim lidhet me padinë e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe jo me lejen e bashkisë e cila gjykohet më vete, Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen për vendimin e marrë më 1 korrik dhe të shpallur me dy javë vonesë. Por, mbi të gjitha, për faktin se pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme, edhe pranë Prokurorit të Përgjithshëm, me fakte e argumenta, qoftë për konfliktin e hapur të interesit që dy gjyqtarë të trupës gjykuese kanë me çështjen në fjalë, qoftë për shpërdorimin e detyrës nga ana e tyre, nuk ka ende asnjë reflektim nga ana e Gjykatës Administrative të Apelit.”, citohet në krye të reagimit të Bashkisë.

Më tej, ajo thekson duke siguruar qytetarët se “do të vijojë betejën gjyqësore, ku tashmë vendimi i datës 1 korrik është ankimuar, si dhe do të denoncojë para opinionit publik gjithë këtë aferë të shëmtuar, se gjyqi për çështjen e kompleksit të 5 pallateve 17 katëshe nën Digën e Liqenit, është i montuar sepse dy kushërinj dhe partnerë të kompanisë “Gener 2” nuk mund të vendosin për shkatërrimin e Liqenit të Tiranës”.

Komento