Blitz

 Breaking News

Pak minuta pasi u emërua zv.ministër i Arsimit u akuzua për plagjaturë! Debati mes Oltian Rrumbullakut dhe Taulant Mukës

Pak minuta pasi u emërua zv.ministër i Arsimit u akuzua për plagjaturë! Debati mes Oltian Rrumbullakut dhe Taulant Mukës
December 12
11:56 2019

Ditën e djeshme, pak minuta pasi u publikua lajmi se pedagogu Oltian Rrumbullaku u emërua në mbledhjen e Këshillit të Ministrave si zëvendësministër i Arsimit, ai u akuzua për plagjiaturë.

Ka qenë ish-zv.ministri i Arsimit, Taulant Muka, i cili zbulimin e plagjaturës në artikujt shkencorë të akademikëve e ka kthyer në mision,  që ka publikuar në Facebook një botim të Rrumbullakut. Sipas Mukës, ai ka publikuar artikullin, “VAT Threshold and Some Implications in Albania” në vitin 2010 në revistën kineze “Journal of US-China Public Administration”. Ai thotë se artikulli shkencor i pedagogut Rrumbullaku, tashmë pjesë e qeverisë është 100% i kopjuar dhe i vetmi ndryshim sipas tij, është zëvendësimi i valutës nga dollarë në lekë.

Statusi i plotë i Mukës:

Oltion Rrumbullaku, Zv. Ministri i Ri i Arsimit, me vetëm një artikull 100% kopje- ndërron vetëm valutën nga Dollar në Lek! Në databazën Google Scholar del se Oltion Rrumbullaku, i emëruar sot Zv/ Ministri i Ri i Arsimit, edhe pse është pedagog në Universitetin e Tiranës, të ketë vetëm një artikull “shkencor”- “VAT Threshold and Some Implications in Albania” të publikuar në vitin 2010 në revistën kineze “Journal of US-China Public Administration” (ISSN 1548-6591 October 2011, Vol. 8, No. 10, 1149-1155).

Nga një kërkim i shpejtë, del se pjesa më e madhe e artikullit të z. Rrumbullaku të jetë 100% kopje e librit “The Modern VAT” nga Laim P. Ebril. I vetmi ndryshim, siç edhe mund të shihet në fotot, është zëvendësimi i Dollarit me Lek. Për më tepër, z. Rrumbullaku shkruan si konkluzione përfundimet nga një tjetër botim të Markos Abraha Gebre-Egziabher në një Universitet të Etiopisë. Si mundet kjo qeveri të vazhdojë të tallet me shqiptarët? Kjo politikë është vrastare për arsimin, shkencën dhe të ardhmen e vendit”.

Por, menjëherë pas akuzës së Mukës, ka reaguar dhe zv.ministri Rrumbullaku, duke shkruar në rrjetet sociale: “Taulant, më jep një email të të dergoj librin që kam me 340 faqe, ta kontrollosh pak. Libër që e kam punuar për 4 vite rresht dhe që i shërben mijëra profesionisteve të fushës”.

Ndërkohë, nuk ka munguar menjëherë dhe përgjigjja e Mukës, i cili replikon me Rrumbullakun, duke shkruar:

Olti, prisja të komentoje rastin publik. Tashmë je në Ministri, keni software antiplagjiaturë të cilin e paguajmë ne qytetarët e Shqipërisë. Nuk mund të shkruash libra akademik kur nuk ke shkruajtur artikull, është “A”-ja në arsimin e lartë. Komenti jot tregon rëndësinë e postimit tim dhe nevojën urgjente që ka vendi për njerëz me eksperiencë në shkencë!

Replika vijon sërish me zv.ministrin që shkruan: “Ka 7000 ish-studentë që dëshmojnë për punën time në auditor për kaq shumë vite. Një material i para 10 viteve që gjen online dhe që nuk ka shërbyer për asgjë, nuk të shërben. Kaq”.

Kot nuk thonë fillimi mbarë, gjysma punës…Vetëm se në këtë rast është e kundërta! /Blitz.al/

Share