Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pajisja e përgjimit, pezullohet nga detyra Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako

Pajisja e përgjimit, pezullohet nga detyra Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako
June 07
11:57 2016

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, është pezulluar nga detyra, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës. Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu është vendosur “arrest shtëpie” me mbikëqyrje elektronike për Drejtorin e orcave Operacionale (F.O), Artion Duka dhe specialistin Entiol Xhelilaj, mbi të cilët rëndojnë veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Njësia Task-Force ka nisur hetimin kryesisht në bazë të materialit procedural, sipas të cilit, Policia e Shtetit ka në dispozicion një pajisje përgjimi “IMSI Catcher”, e cila ka hyrë në territorin e Shqipërisë pa autorizim përkatës dhe mund të realizojë interceptime telefonike.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë akuzohet se nuk ka marrë masat e nevojshme për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e pajisjes specifike, “IMSI Catcher”, e sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane për qëllime trajnimi, por që nuk i është nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe për të cilën nuk është marrë autorizimi përkatës i Prokurorit të Përgjithshëm.

Referuar të dhënave të të dyshuarve, ndër të tjera kjo pajisje ka aftësi të identifikojë numrat IMEI të telefonave, një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin. Vetë i dyshuari Çako e ka mohuar mundësinë që kjo pajisje të jetë përdorur për përgjime të paligjshme.