Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Pacienti i shtrirë në spital, infermierja: Bën vetë! Reagon QSUT

Pacienti i shtrirë në spital, infermierja: Bën vetë! Reagon QSUT
March 18
18:19 2016

Videoja e një burri të shtrirë në spital, i cili referuar pamjeve filmike nuk ka marrë shërbimin e nevojshëm, ka shkaktuar reagimin e QSUT-së.

Një burrë i shtrirë në dyshemenë e spitalit, i cili duket se kërkon diçka, por nuk përfillet nga bluzat e bardha, shihet në një video të publikuar nga “Jeta osh qef”. Situata rëndohet kur infermierja, teksa i drejtohet djalit që filmon, shprehet: “Nuk është duke vdekur  more, bën vetë”.

Videoja e filmuar në ambientet e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, në pavijonin e kardiologjisë, ka shkaktuar edhe reagimin e QSUT-së.

“Qytetari që shfaqet në këtë video është shtetasi P.GJ., i cili prej vitesh trajtohet në mënyrë periodike pranë shërbimit të Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike në QSUT. Drejtoria e QSUT-së ka marrë informacion nga Shërbimi i Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike dhe rezulton se shtetasi P.GJ. është trajtuar në këtë shërbim gjatë periudhës kohore 06-14 mars 2016 me diagnozën “Toksikodipendencë alkoolike”, – shprehet fillimisht QSUT. Më tej sqarohet se më 17 mars 2016, qytetari është paraqitur vetë në shërbimin e Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme në QSUT dhe pas marrjes së mjekimit është larguar i pashoqëruar drejt pavijonit të Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike, ku ka insistuar për rishtrim në këtë pavijon.

“Nga të dhënat klinike dhe amnestetike të siguruara prej mjekëve të shërbimit dhe të regjistruara në regjistrin e urgjencës dhe të Shërbimit të Toksikologjisë rezulton se shtetasi P.GJ. nuk kishte indikacion për shtrim në momentin që është paraqitur. Për shkak të këmbënguljes së pacientit, i cili ka manifestuar çrregullime të theksuara të sjelljes, Shërbimi i Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike informon se ka kontaktuar familjarët e tij, si dhe Policinë e Shtetit, e cila ka ndjekur rastin në vijim”,- shprehet më tej QSUT.

Ndërkohë që po kryhen verifikimet e procedurave klinike është marrë masa e pezullimit të infermieres me iniciale A. C. deri në sqarimin e plotë të situatës.

 

 

Shperndaje