Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Operacioni kundër narko-trafikut, 2 në pranga dhe sekuestrohen 812 kg marijuanë

September 23
10:47 2016

Nga Anduena Llabani

Pas një operacioni të përbashkët të policisë shqiptare dhe asaj italiane, në orët e para të mëngjesit është goditur një tjetër rast i tentativës për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Nga ana e shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Kufitare, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve të paligjshme në kufirin blu, në afërsi të Orikumit, është identifikuar dhe sekuestruar një mjet lundrimi i tipit gomone me dy motorë.

Ndërkohë, nga ana e shërbimeve të policisë kufitare, në afërsi të vendit të quajtur Kepi i Gjuhzës, u identifikua një mjet lundrues i paidentifikuar, i cili lëvizte në drejtim lindje-perëndim.

Në ndjekje të tij u vunë shërbimet e repartit special “Delta” dhe të njësisë së Guardia di Finanza në Vlorë dhe njëkohësisht operacioni u koordinua me shërbimet e Guardia di Finanza-s të Barit.

Rreth orë 02.10, shërbimet e Guardia di Finanza, në afërsi të Leçes, kanë arritur të identifikojnë dhe të ndalojnë mjetin e lundrimit tip gomone me motor 250 kuaj fuqi.

U sekuestruan 850 kg marijuanë  dhe në pranga u vunë shtetasit D. A. dhe A. B., 36 vjeç dhe 38 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës.

Autoritetet italiane, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punon për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të personave të arrestuar./Blitz.al/

Shperndaje