Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Obama në Hiroshima: “Kam ardhur të mbaj zi për të vdekurit”

May 27
16:54 2016

Presidenti Barack Obama është i pari president i SHBA-ve që viziton Hiroshimën, që nga sulmi bërthamor gjatë Luftës së Dytë Botërore që shkaktoi mijëra të vdekur. Ai ka vizituar sot vendin, ka përqafuar disa prej të mbijetuarve të ngjarjes,  por nuk ka ofruar ndjesën amerikane për sulmin bërthamor.  Presidenti është shprehur se “ka ardhur të mbaj zi për të vdekurit” dhe se do të punojë për një botë pa armë bërthamore.

“71 vite më parë, në një mëngjes të hapur pa re, vdekja ra nga qielli dhe bota u ndryshua”,- tha presidenti  Obama në Peace Memorial Park. “Qyteti u shkatërrua dhe u tregua se njerëzimi zotëronte mjete për të shkatërruar veten”.

Obama ka qenë i shoqëruar nga kryeministri japonez Shinzo Abe dhe ka vendosur kurora  me lule në Memorialin e Paqes në Hiroshima. Në librin e nënshkrimit, Obama shkroi  mesazhin: “Ne e kemi njohur agoninë  e luftës. Le të gjejmë guximin, së bashku, për të përhapur paqen dhe të sigurojmë një botë pa armë bërthamore”.

Kujtojmë se rreth 140 mijë vetë vdiqën në 6 gusht të 1945- s nga shpërthimi i bombës së parë nukleare. Dy ditë më pas, një tjetër bombë u hodh në Nagasaki, duke vrarë 74.000 vetë.

Shperndaje