Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Nuk i lejojnë të punojnë apo i marrin rrogën, 1 në 10 gra shqiptare dhunohen ekonomikisht

Nuk i lejojnë të punojnë apo i marrin rrogën, 1 në 10 gra shqiptare dhunohen ekonomikisht
September 04
08:22 2019

Në çdo 10 gra shqiptare njëra prej tyre ka përjetuar dhunën ekonomike nga bashkëshorti apo partneri i tyre. Edhe pse jetojmë në periudhë ku roli i gruas në ekonomi dhe biznes është i rëndësishëm, përsëri forma më e përhapur e dhunës është kufizimi i lirisë së grave për të shkuar në punë, për t’u marrë me tregti apo në projekte që sjellin para. Forma të tjera të dhunës ekonomike janë kontrolli i parave dhe kufizimi i përdorimit të tyre nga partneri që ndan jetës.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, 7% e grave kanë përjetuar dhunë ekonomike (një apo më shumë nga tri llojet e dhunës ekonomike). Më konkretisht, 4,0% e grave raportuan se bashkëshortët/partnerët e tyre nuk i lejonin të gjenin një punë, të shkonin në punë, të tregtonin dhe fitonin para dhe/ose të merrnin pjesë në projekte që gjenerojnë të ardhura. Gjithashtu, 3,8% e grave raportuan se bashkëshortët/partnerët ua merrnin të ardhurat kundër vullnetit të tyre dhe/ose ua kontrollonin paratë apo pronat kundër vullnetit të tyre, madje edhe kur për vete kishin para për gjëra të tjera, si për alkool dhe/ose cigare.

Në marrëdhënie shtëpiake dhe intime, burrat dhunues përdorin dhunën ekonomike për të kontrolluar paratë e familjes, duke përfshirë pagat e grave kur ato punojnë jashtë shtëpisë.

Vetëm 4,0% e grave kanë përjetuar një lloj të dhunës ekonomike, 2,3% kanë përjetuar dy lloje, dhe 0,7% kanë përjetuar secilën nga tre llojet e dhunës ekonomike. Të dhënat u analizuan më tej për të kuptuar marrëdhënien midis moshës së grave dhe përjetimeve të dhunës ekonomike.

Gratë e moshës 18-24 vjeç (10,9%) dhe 45- 54 vjeç (9,0%) kishin më shumë gjasa të përjetonin dhunë ekonomike në martesën/marrëdhëniet e tyre, krahasuar me gratë e moshës 25-34 (6,3%), 35-44 vjeç (6,8%), 55-64 vjeç (6,0%) dhe 65-74 vjeç (4,9%).

Burimi: Monitor.al

Share