Një tjetër gazetar i njohur i futet politikës
Analisti politik dhe publicisti i njohur kosovar Halil Matoshi ka vendosur që të rikthehet në politikë dhe të angazhohet me një nga partitë elitare të Kosovës.
Matoshi ka zgjedhur Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, partinë e Ramush Haradinajt, për të bërë rrugëtimin e tij politik.
Lajmin e ka bërë publik AAK, përmes një njoftimi ku është thirrur një konferencë për media, në të cilin do të prezantohet aderimi i Matoshit.
Halil Matoshi është gazetar dhe publicist i mirënjohur shqiptar nga Kosova.
Matoshi ka shkruar te gazeta e studentëve “Bota e re” (1984-1986), “Zëri i rinisë”, gazetar dhe pastaj redaktor e kryeredaktor, kur kjo e përjavshme ndërroi emrin në “Zëri” deri më 2004-n.
Kryeredaktor i revistës për kulturë dhe art “Sheshi” (1997-2004), redaktor dhe kryeredaktor në të përditshmen “Lajm” (2004-2006); redaktor e kolumnist në gazetën “Express” (2006-2009) dhe aktualisht redaktor e kolumnist në “Koha Ditore”.
Matoshi është shkrimtar, eseist dhe poet.
Matoshi është arrestuar më 21 maj 1999 në shtëpinë e tij gjatë bombardimeve të NATO-s mbi trupat serbe të sigurisë dhe është akuzuar për terrorizëm në bazë të Nenit 121 të Kodit Penal të Serbisë dhe është liruar pas rreth një viti me ndërhyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. /Blitz.al/