Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nishani takon kreun e Bundestagut: Vetëm progresi siguron hapjen e negociatave

Nishani takon kreun e Bundestagut: Vetëm progresi siguron hapjen e negociatave
April 22
18:06 2016

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Presidentin e parlamentit të Gjermanisë, Norbert Lammert, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Duke iu drejtuar kreut të Bundestagut, presidenti Nishani tha se vizita e tij në Tiranë inkurajon për të vijuar me rrugën e reformave dhe për të përballuar sfidat me mbështetjen e faktorit të jashtëm. Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për kontributin e Gjermanisë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve.

“Vlerësoj shumë angazhimin konkret të Gjermanisë për ruajtjen e ritmit të zhvillimit dhe të afrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, pavarësisht sfidave serioze me të cilat po përballet aktualisht si Gjermania ashtu edhe Unioni.” – theksoi ai.

Kreu i Lartë i Shtetit  siguroi gjithashtu Presidentin e Bundestagut se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të fokusuara në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian, duke theksuar se për vendin nuk ka projekt më madhor dhe alternativë tjetër veç asaj të integrimit europian.

Nga ana tjetër, Presidenti i Bundestagut Lammert e siguroi homologun shqiptar se Gjermania është dhe do të mbetet një partner i besueshëm për Shqipërinë. Duke iu referuar progresit të Shqipërisë, ai theksoi se për Gjermaninë dhe Vendet Anëtare të BE-së është shumë e rëndësishme të sigurohet sa më shumë progres, pasi vetëm kështu nuk do mungojë mbështetja për hapjen e negociatave të aderimit.

Komento
Etiketimet
Shperndaje