Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nishani dekreton 4 ministrat e rinj të kabinetit

Nishani dekreton 4 ministrat e rinj të kabinetit
March 20
10:55 2017

Pasi doli dje në një konferencë për shtyp ku foli mbi emrat e rinj të propozuar për kabinetin qeveritar, sot Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka dekretuar 4 ministrat e rinj të qeverisë “Rama”.

Bashkë me ta, ai ka pranuar edhe shkarkimin e katër ministrave Ilir Beqaj, Bledi Çuçi, Saimir Tahiri e Blendi Klosi.

Nishani ka dekretuar ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, i shumëpërfolur ditët e fundit si hetues në periudhën e diktaturës komuniste, ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ministrin e Pushtetit Vendor Eduard Shalsi dhe ministren e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Olta Xhaçka.

Dje, gjatë një konference shtypi, Nishani pranoi se do t’i dekretojë të 4 propozimet e kryeministrit Rama për ministrat e rinj të qeverisë, edhe pse ka shprehur rezervat e veta për njërin prej tyre, ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.

“Në këto rrethana, kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme, por Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër pasi i vetmi kusht që përcakton Kushtetuta për Presidentin është të shohë plotësimin e kritereve për të qenë deputet”,- tha dje Nishani.

Ndërkohë që opozita nga ana e saj ka thënë se Fatmir Xhafaj nuk ka për t’u futur në ministri, veçse mbi trupat e tyre. /Blitz.al/

Shperndaje