Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nikolin Jaka, pro legalizimit të prostitucionit, kanabisit, dhe importimit të plehrave, reagon Neranxi: Po bën një krim

Nikolin Jaka, pro legalizimit të prostitucionit, kanabisit, dhe importimit të plehrave, reagon Neranxi: Po bën një krim
September 22
09:40 2016

Ditën e djeshme, kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, është shprehur pro legalizimit të kanabisit, prostitucionit dhe importimit të plehrave në vendin tonë. Në fjalën e tij, ai theksoi nevojën për të zbatuar formulat në vende të ndryshme europiane që kanë legalizuar përdorimin e lëndëve narkotike, si dhe kanë liberalizuar shërbimin e femrës.

“Pse mos të zbatojmë edhe ne formulën e Holandës, Italisë, Greqisë, për lejimin e kanabisit për nevoja farmaceutike apo siç e lejojnë ligjet evropiane? Pse mos të kalojmë edhe te ligjet e tjera, që është paketë, siç janë qasjet ligjore që liberalizojnë shërbimin e femrës, siç e ka Gjermania dhe Holanda? Janë gjëra normale, të jemi të ndershëm. Njëkohësisht të shprehim elemente sigurie për turistin, qytetarët, për të parandaluar efektet dhe pasojat sociale që krijojnë vakuumet që lë legjislacioni shqiptar”, – deklaroi Jaka në konferencën për mediat.

Kësaj deklarate të kreut të Dhomës së Tregtisë i është kundërvënë kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, Nikollaq Neranxi. Teksa e ka akuzuar Nikolin Jakën se është duke bërë krim, ai shpreh shqetësimin për këto deklarata.

Neranxi kundërshtoi Jakën duke u shprehur se Shoqata e Tregtarëve distancohet nga këto propozime me bazë interesat personale dhe klienteliste.

“Asnjë sipërmarrësi të ndershëm nuk i intereson që Shqipëria të mbushet me plehra. Asnjë sipërmarrësi të ndershëm nuk i intereson që të legalizohet hashashi, qoftë edhe për qëllime farmaceutike. S’ka gjë më cinike sesa të hedhësh idenë e legalizimit të hashashit pikërisht tani që Shqipëria është e gjitha e mbushur me hashash. Dhe e treta, më skandalozja, Jaka artikulon pikërisht në këto momente kritike për vendin ku është në pikëpyetja mbijetesa, nevojën e shtëpive publike!

Jaka, njeriu që përfiton vazhdimisht fonde publike, po bën një krim duke dalë të flasë në emër të biznesmenëve shqiptarë dhe duke u shpallur promotori i mbushjes së këtij vendi me pisllëqe, drogë dhe prostituta. Nuk mund të pranojmë që Dhoma e Tregtisë të dalë e të japë ide të tille për një vend i cili para së gjithash ka probleme serioze me varfërinë”, -deklaroi Nikollaq Neranxi. /Blitz.al/

 

Etiketimet
Shperndaje