Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Ngrin” Teatri Kombëtar, anulohen shfaqjet

“Ngrin” Teatri Kombëtar, anulohen shfaqjet
January 11
13:12 2017

Një ngjarje aspak normale ka ndodhur me Teatrin Kombëtar në Tiranë, pasi për shkak të të ftohtit janë anulluar disa prej shfaqjeve të planifikuara për në ditët e ardhshme.

Në një njoftim në faqen zyrtare të teatrit në rrjete sociale, bëhet me dije se shkak i anullimit të shfaqjeve është bërë ngrica që ka prekur tubacionet e kaldajës.

“Teatri Kombëtar ju njofton se për shkak të temperaturave shumë të ulëta të këtyre ditëve, ngrica ka prekur tubacionet që furnizojnë me ujë kaldajën e teatrit duke e bërë të pamundur funksionimin e saj. Për këtë arsye shfaqjet e programuara për datat 12-13-14-15 Janar nuk do të jepen. I kërkojmë ndjesë publikut dhe rishihemi së shpejti në sallën e Teatrit Kombëtar!”,- bëhet me dije në faqen e facebook-ut.

Salla e Teatrit Kombëtar është vendosur shpesh në qendër të kritikave për shkak të ngrohjes së dobët në sallë në përiudhën e muajve të dimrit.

Në komentet poshtë lajmërimit, një qytetare shkruan: “Në teatër është gjithmonë shumë ftohtë gjatë gjithë sezonit të dimrit, edhe në rastet kur paska funksionuar kaldaja”.

Një tjetër komentues shkruan: “Turp i madh të jetë ftohtë në teatrin kombëtar, por është edhe më turp të jesh drejtues, e të mos jesh në gjendje të rregullosh diçka kaq elementare. Kjo vjen kur do më shumë partinë se punën”.

I menjhëershëm ka qenë reagimi i Hervin Çulit, drejtorit të Teatrit Komëbtar, i cili shkruan: “ E kam sqaruar edhe më parë se kaldaja e teatrit nuk ka fuqi të përballojë dimër shumë të ftohtë. Jo vetëm që është një kaldajë e vjetër, por godina e Teatrit Kombëtar, e degraduar në maksimum ka të çara nga të gjitha anët, dhe nuk i reziston më kohës. Këtë vit do të bëjmë ç’të mundemi, për të mos humbur shfaqjet këto 2 muaj të ftohtë, sepse kanë qenë plot e përplot me spektatorë. Nga shtatori i këtij viti me siguri do të jemi në sallën e Teatrit të ri që po ndërtohet”,- thotë Çuli.  /Blitz.al/

teatri

Komento
Shperndaje