Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nga lufta përballë Millosheviçit te dënimi me 15 vite burg nga serbët, kush është kryeministri i ri i Kosovës

Nga lufta përballë Millosheviçit te dënimi me 15 vite burg nga serbët, kush është kryeministri i ri i Kosovës
October 07
14:25 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka shpallur zyrtarisht fitues me shumicë votash Vetëvendosjen e Albin Kurtit. Pas përfundimit të numërimit, Kurti foli për herë të parë si kryeministri i Kosovës. Albini nga njëra anë kishte kohë që punonte për garën. Ai e kishte “nuhatur” fitoren, pasi kishte dhe besim te puna e tij.

Albin Kurti lindi më 24 mars 1975 në Prishtinë. Ai filloi të spikasë gjatë periudhës së luftës nisur nga viti 1997, pasi në rezistencë kundër Milosheviçit Albini u bë pjesë i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Në rezistencë kundër Milosheviçit në gusht të vitit 1997 Albini hyri në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, si anëtar i kryesisë e më vonë si zyrtar për marrëdhënie ndërkombëtare.

Kurti ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit Organizativ të Protestave Paqësore dhe të pa dhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare të marra me dhunë nga regjimi i Milosheviçit. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës historike studentore më 1 tetor 1997 e cila u shtyp brutalisht nga policia e Milosheviçit.

Me fillin e luftës në Kosovë, në gusht të vitit 1998, Albini filloi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçit, ku shërbeu si sekretar i zyrës. Gjatë kësaj kohe ka qenë i angazhuar në gjetjen e zgjidhjes politike për krizën në Kosovë.

Gjatë bombardimeve të NATO-s ai qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi. Me 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, ai së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe. Më 13 mars 2000 në Nish, Albini u dënua me 15 vjet burg të rëndë. Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: “Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Milosheviçit”. Kur u dënua, ai tha: “Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më jepej rasti do të veproja sërish njësoj.”

Si rezultat i presionit ndërkombëtar Albini u lirua më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003 Albini u diplomua në fakultetin e shkencave kompjuterike dhe telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdoi të jetë aktivist i të drejtave të njeriut dhe atyre civile.

Kurti punoi si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN), të formuar në vitin 1997, që u ringjall në konferencën “Drejtimet e reja” të mbajtur në Prishtinë nga 8-13 korrik 2003. Më 12 qershor 2005 në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët shkruan parullën “Jo negociata, vetëvendosje”, fjalë e cila pikërisht solli transformimin e KAN-it në Lëvizjen vetëvendosje!

Shkrimi i parullave vazhdoi gati në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës, dhe pastaj lëvizja filloi me përdorimin e metodave tjera kreative e të pa dhunshme sikurse janë aksionet simbolike, bllokadat dhe së fundi edhe demonstratat masive.

Në vitin 2017 Kurti  u arrestua së bashku me dy deputetë të tjerë pas përfundimit të një proteste të partisë opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe kundër asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Por të tre u liruan nga burgu për të vuajtur dënimin e tyre me masën e sigurisë arrest shtëpie.

Albin Kurti njihet edhe si politikani që ka guxuar të hedh gaz lotsjellës në parlament. Tashmë Albin Kurti është kryeministri i Kosovës, në një periudhë delikate për marrëveshjen me Serbinë, por edhe të ardhmen europiane.

Burimi: GSH

Komento
Shperndaje