Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nesër reshje të dendura, Bashkia e Tiranës: Bëni kujdes!

Nesër reshje të dendura, Bashkia e Tiranës: Bëni kujdes!
March 23
15:11 2016

 

Orët në vijim dhe dita e nesërme pritet të karakterizohen nga reshje të dendura shiu referuar parashikimeve meteorologjike. Për shkak të motit të keq që mund të shkaktojë vështirësi në qarkullim, Bashkia e Tiranës ka ngritur shtabin e emergjencës, ka ndarë detyrat për 24 administratorët dhe për gjithë ekipet lokale të ndihmës, duke marrë të gjitha masat për të ulur numrin e problematikave që mund të shfaqen.

Në deklaratën për mediat, drejtori për Zhvillimin e Marrëdhënieve me Komunitetin dhe Njësitë Administrative, Admir Abrija, njoftoi se si rrjedhojë e parashikimeve për reshje të dendura, është bashkërenduar puna me 24 njësitë administrative, Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorinë e Emergjencave Civile.

Ai apeloi që gjatë ditës së nesërme, qytetarët e Tiranës të tregohen të kujdesshëm. Të shmangin qarkullimin me mjete private duke preferuar ato publike. Ai përcolli një thirrje edhe për banorët e zonave rurale të Tiranës.

“Bashkia e Tiranës u bën thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët jetojnë në zonat rurale të saj, që të marrin masa e të mos frekuentojnë brigjet e lumenjve në zonat që paraqesin rrezikshmëri”, – tha Abrija.

Drejtori për Zhvillimin e Marrëdhënieve me Komunitetin dhe Njësitë Administrative bëri me dije se situata do të mbikëqyret nga rreth 1200 punonjës dhe mbi 60 mjete që do të punojnë në terren. Në raste emergjencash është vënë në dispozicion numri i kontaktit i Bashkisë së Tiranës, 0800 0888 (nga numrat fiks), ai i Policisë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 128.

Komento