Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Nëse ju skadon pasaporta në fund të vitit, duhet të lexoni patjetër këtë njoftim!

Nëse ju skadon pasaporta në fund të vitit, duhet të lexoni patjetër këtë njoftim!
July 16
16:14 2019

Është njoftuar më herët që qytetarët të cilët zotërojnë një pasaportë që skadon në fund të këtij viti, duhet të fillojnë menjëherë procedurat për rinovimin e saj. Por ditën e sotme, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka dhënë një tjetër njoftim të rëndësishëm.

Nëse dikujt i skadon pasaporta apo karta e identitetit në dhjetor, që prej muajit tetor ai nuk do mund të udhëtojë pa pasur me vete pasaportën që skadon, së bashku me dokumentin që vërteton që keni aplikuar për një pasaportë të re. Radhët e pritjes janë të gjata për shkak se rreth 1 milionë qytetarë do i nënshtrohen këtij procesi, prandaj bëni mirë të aplikoni sa më shpejt.

Fjala e plotë e ministrit Lleshaj:

“Janë mbi 1 milion karta identiteti dhe pasaporta qytetarësh, të cilat mbarojnë afatin e vlefshmërisë këtë vit. Dhe është me rëndësi të madhe që qytetarët të shfrytëzojnë kohën për të aplikuar, sa nuk është vonë për të mos e lënë që në fund të vitit të mblidhen e të shtohen radhët dhe të krijojmë situata të panevojshme. Për fat të keq konstatojmë që ende flukset e aplikimit nuk janë ato që duhet, sepse ne përgjithësisht tentojmë t’i lëmë gjërat për në sekondën e fundit. Por gjej rastin edhe njëherë t’i ftoj të gjithë qytetarët të aplikojnë për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike, ende sa ka kohë, sa sportelet janë të lira për arsye se shumë shpejt ne do të ndërmarrim masa shtesë që do të thotë, ne do t’i kushtëzojmë përdorimin e dokumenteve aktualë, megjithëse janë ende në fuqi, me aplikimin.

Do të thotë që në një periudhë të caktuar, e cila do të shpallet, besoj nga muaji tetor, nëse dikush do të tentojë të udhëtojë jashtë shtetit me një pasaportë, të cilës i mbaron afati në dhjetor, nuk do të mund të udhëtojë pa pasur bashkë me pasaportën që skadon, edhe një dokument që vërteton që ai e ka bërë aplikimin për pasaportën e re. Po kështu shërbimet që lidhen me kartën e identitetit, nuk do të ofrohen nëse karta nuk shoqërohet me një dokument që provon se qytetari e ka bërë aplikimin për të renë. E gjitha kjo bëhet për t’i kujtuar qytetarët që 31 dhjetori është afati i fundit, por nuk mund të prodhohen të gjitha kartat në datën 31 dhjetor! Do të duhet që gjithë kjo kohë, përpara datës 31 dhjetor të shfrytëzohet nga çdo qytetar në mënyrë që të evitojmë radhët, stresin dhe të gjitha problemet që lidhen me këtë çështje”.

Burimi: FaxWeb.al

Komento
Shperndaje